Po të kishin një gram ndjenje për drejtësinë emisarët e SHBA, BE, Gjermanisë, Francës e Britanisë së Madhe, vetëm nga rasti ku Vuçiqi i ofron ekstremistit serb Nedelkoviq, punësim ku të dëshirojë ai vetë, do të vinin në përfundim se Vuçiqi është adresa e problemeve që shkaktohen në Kosovë.
Vuçiqi i nxori me shantazh nga arresti shkelësit e ligjit, (Pantiqin e Nedelkoviqin) dhe po i shpërblen. Vuçiqi ka marrë me shantazh edhe amnesti për të gjithë banditët që kanë plagosur policin në detyrë, Ekrem Nezirin dhe ata që kanë lënduar disa ekipe gazetarësh.
Natyrisht edhe për të gjithë ata që kanë bllokuar rrugët dhe kanë hedhur shok-bomba. Përtej kësaj, Vuçiqi po kërcënon prapë me rebelim edhe më radikal në veri, deri në shkëputje. Pra, me kend po negocioni, ju zotërinj të mëdhenj?
Ndonëse nuk jeni naivë, po aktroni njerëzit naivë. Nuk ka marrëveshje me Vuçiqin! Jo pa presion, jo pa izolim, jo pa sanksione. Ju e keni lehtë t’i bëni presion Albin Kurtit, palës së dobët dhe naive në këtë konflikt.
Ju mund ta shfrytëzoni lehtë naivitetin politik të Albin Kurtit, (aktron të fortin, duke qenë pala e dobët) por ashtu nuk po e dëmtoni Kurtin. Ju vetëm sa po e heroizoni-viktimizoni në sytë e njerëzve. Ndërsa po e dëmtoni rëndë Kosovën. Duke i bërë lëshime Vuçiqit, Kosovën po e çoni drejt dështimit.
Nëse favorizimi i Serbisë në pretendimet e saj anshlusiane në Kosovë e ka synimin që ta afroni Serbinë me Perëndimin e ta largoni disi nga Rusia, kjo juve mund t’u duket “real politikë”, por është totalisht e pamoralshme. Dhe e kotë, sepse Serbia nuk ndryshon kurs, me favoret që i bëhen nga Perëndimi.
Që nga vrasja e mbretit Aleksandër Obrenoviq dhe mbretëreshës Draga Mashin nga “Crna ruka” dhe atentati në Sarajevë kundër dukes Franc Ferdinand nga “Mllada Bosna” e deri sot, Serbia gjithmonë i merr favoret e Perëndimit dhe e forcon lidhjen me Rusinë.
Kështu është edhe me “Rojat e Urës”, me “Brigadat e Veriut” dhe me çfarëdo organizimi tjetër banditesk e terrorist, që punon për “Serbinë e Madhe.”
Tashmë u ka mbetur vetëm edhe t’ia plotësoni kërkesën për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Bile vonesën e asaj përgjigjegje po e shfrytëzoni si mjet presioni kundër Kurtit.
Definitivisht, ky presion është në shpërpjestim me gafat e Kurtit, të cilat janë evidente, por jo në atë përmasë sa ta poshtëroni një qeveri legjitime dhe një shtet, të cilin ju vetë e njihni si të pavarur.