31 maji i vitit 2021 është afati i fundit, kur Zyra e Prokurorit të Specializuar është e obliguar t’ia dorëzojë mbrojtjes së katër ish-eprorëve të UÇK-së, secilën provë që e posedojnë e ku e kanë mbështetur aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Nikolas Giju, të hënën mbrëma ka nxjerrë vendimin kornizë për nxjerrjen graduale të provave, kundër katër ish-eprorëve që po mbahen për krime lufte, në paraburgim në Hagë.
Deri të hënën, 14 qershor 2021, ose çdo herë më parë, bazuar në nenet, ndër ato të renditura në njoftimin e hollësishëm referuar nën pikën (f), ata mund të kërkojnë të kenë qasje përmes zbulimit ose inspektimit.
Nuk janë dhënë afate se sa muaj do të këtë në dispozicion mbrojtja që t’i kryejë inspektimet, për t’i kundërshtuar provat.
Megjithatë, kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përmes një parashtese me shkrim, pas seancës së fundit ku janë paraqitur katërshja e akuzuar, ka kundërshtuar kërkesën e tyre që t’u vihen në dispozicion vite, për të mbledhur prova shfajësuese, e kundërprova.
Disa muaj, sipas ZPS-së, mjaftojnë që një gjë e tillë të bëhet.
Kryeprokurori Jack Smith ka përdorur si argument, intervistat e Hashim Thaçit dhënë Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Sipas këtij dokumenti, Thaçi kishte thënë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në vitet për të cilat akuzohet ai nuk ka pasur ndonjë autoritet.
Grafika: Në mënyrë të ngjashme, në intervistat e tij me ZPS-në, z. Thaçi hodhi poshtë çdo përgjegjësi për krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, duke pohuar në mënyrë të përsëritur se në asnjë moment më 1998 ose 1999 ai, ose ndonjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, kanë pasur ndonjë autoritet mbi UÇK-në. Siç u përmend në konferencën e statusit, këto pohime më tej hedhin poshtë pretendimet nga mbrojtja se përgatitja dhe hetimi nuk mund të fillojnë deri diku pas përfundimit të zbulimit të të gjitha provave.
Deri tani deklarata e Thaçit në Prokurorinë e Specializuar nuk është bërë publike.
Thaçi është një nga të paktët që në fazën e hetimeve ka pranuar të japë deklaratë në Hagë.
Jakup Krasniqi e Kadri Veseli janë mbrojtur në heshtje.
Në heshtje ishin mbrojtur edhe Agim Çeku, Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, Shukri Buja, Sokol Bashota dhe Blerim Kuçi.
Në anën tjetër, Rexhep Selimi kishte dhënë deklaratë në Hagë, por pas kthimit të tij publikisht pati thënë që Thaçi përmes disa njerëzve e kishte këshilluar që të mbrohet në heshtje.