Ani pse Kryeministri Albin Kurti deklaroi se nuk e ka numrin e kryesuesit të bordit Ymer Fejzullahu, ky i fundit publikisht e kishte përkrahur Albin Kurtin në marshin drejt pushtetit. Fotografitë nga aktivitetet e Albin Kurtit, njësoj sikurse edhe militantët e tij, Fejzullahu i kishte shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook.
Pavarësisht se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u bë kinse nuk e njeh fare kryesuesin e bordit të Zyrës së Rregullatorit të energjisë elektrike, faktet flasin për të kundërtën. Ymer Fejzullahu del të jetë publikisht militant i Kurtit.
Kurti pasi aprovoi propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e tarifave të rrymës për konsumatorët, u kritukua ashpër, sidomos për shkak të premtimeve të tij sa ishte në opozitë se do të zbres cmimin e energjisë.
U mundua të arsyetohet me lloj-lloj arsyetimesh, madje mundohej që tërë barrën e vendimit për shtrenjëtim t`ia lë ZRRE-së. Tha madje se nuk e ka as numrin e kryesuesit Fejzullahu.
“ZRRE është institucion i pavarur i shtetit. Ta zëmë unë nuk e kam numrin e telefonit të kryesues të Bordit të ZRRE-së, por ministrat e linjës shpresoj edhe nga Kuvendi i Republikës do t’u dërgojnë sa më parë komentet në mënyrë që Bordi i ZRRE-së bazuar në raportin e vet t’i trajtojë edhe sugjerimet e të tjerat”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti, në seancën e kuvendit ku po flitej për krizën energjetike në vend tha se nuk mund të marrë vendim kundër raportit të ZRRE-së, përndryshe sipas tij, do të quhej diktator.
“Unë e kuptoj që është një barrë e madhe financiare edhe për shtetin, edhe për qytetarët. Bashkërisht duhet ta diskutojmë se si të dalim nga kriza, por unë nuk mund ta marrë këtë vendim përderisa ka ZRRE. Të kërkosh prej meje që ta marrë këtë vendim, do të thotë të kërkosh pikërisht prej meje të bëhem diktator. Na është e vërtet që i kemi fituar mbi 50 përqind, por shteti nuk është i barabartë me pushtetit”, tha Kurti.
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, sa Kurti ishte në opozitë e përkrahte publikisht marshimin e Kurtit drejt pushtetit.
Tash kur Kurti erdhi në pushtet Fejzullahu u shpërblye me pozitën publike Kryesues i bordit të ZRRE-së.