Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten ka vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike.
Në lidhje me këtë, Zyra e Rregullatorit ka thënë se do të parashtrojnë ankesë brenda afatit ligjor në Gjykatën e Apelit, njofton Klankosova.tv.
Zëdhënësi i ZRrE-së, Petrit Pepaj për Klankosova.tv është shprehur se përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRrE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm, sipas tij.
“Me lejoni t’ju informoj se ZRRE-ja, mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L – 006) do të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2 të LPK-së, definohet se: Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim. Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, është shprehur Pepaj.