Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka lëshuar licencë njëvjeçare për operim kompanisë “Hidroenergjia sh.p.k” për hidrocentralin “Lepenci 3”, në Sllatinë të Kaçanikut, edhe pse ky impiant nuk posedon lejen e integruar mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Këtë e ka bërë duke u bazuar në një rregullore që ishte miratuar në vitin 2017, e cila ia mundëson lëshimin e licencave të përkohshme edhe pa leje mjedisore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por kjo rregullore bie në kundërshtim me Ligjin bazë për Rregullatorin e Energjisë, atë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes, të cilat tregojnë se një impiant për të cilin aplikohet leje e integruar mjedisore nuk mund të lëshohet në punë pa posedim të një dokumenti të tillë.
Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit, përkatësisht neni 31 paragrafi 1 parasheh që “lëshimi në punë i objektit të ndërtuar apo i stabilimenteve dhe pajisjeve që kanë qenë objekt i vlerësimit të ndikimit në mjedis nuk mund të fillojë veprimtarinë pa marrjen e lejes mjedisore”.