Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka aprovuar të hyrat maksimale të lejuara për operatorët energjetikë në vend, përfshirë KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n, raporton Ekonomia Online.
Sipas vendimit, të hyrat maksimale për KOSTT-in për vitin 2026 janë 76 milionë e 444 mijë euro.
Ndërkaq, për KEDS-in janë aprovuar 185 milionë e 960 mijë euro, që është rreth 21 për qind më e ulët krahasuar me vlerën e kërkuar nga vetë kompania. ZRRE-ja ka bërë të ditur se në këtë përllogaritje janë marrë parasysh edhe devijimet e kostove nga vitet e kaluara.
Për kompaninë KESCO, të hyrat maksimale të aprovuara arrijnë në 442 milionë e 228 mijë euro.
Muharrem Gashi nga departamenti i tarifave dhe çmimeve, u arsyetua se me rritjen e importit duhet ndryshuar të hyrat maksimale.
Kërkesa nga KOSTT ka qenë rreth 99 milionë euro, 23 përqind më e lartë sesa vlera e vendosur nga ZRRE-ja.
“Gjatë 2025 për shkak rritjes së kërkesës për prodhim vendor, i cili ka qenë më i ulët, është rritur nevoja për import. Procesi i konsultimit ka kaluar në të gjitha fazat e parapara të rregullatorit, duke filluar nga pranimi i aplikacioneve, publikimi i raporteve muajin prill 2026. Gjatë këtij procesi kemi pranuar komente nga 5 kompani KEK, KOSTT, KEDS, KESCO dhe organizata e shoqërisë civile INDEP… Kërkesa në aplikacionin për të hyrat e lejuara maksimale të operatorit të sistemit të transmetimit KOSTT, ka qenë rreth 99 milionë, ndërsa propozimi përfundimtarë i ZRRE është rreth 76 milionë që nënkupton rreth 23 për qind më e ulët sesa vlera e paraqitur në aplikacionin e KOSTT-it. Përfshinë shpenzimet operative, zhvlerësimin e kthimit e lejuar që lidhen me investimet kapitale, janë trajtuar kostot e humbjeve, ndihmëse dhe faktorët e përshtatjes e korrigjimit”, tha Gashi.
Ndërsa për operatorin e sistemit të shpërndarjes -KEDS, nga departamenti i tarifave dhe çmimeve, Adelina Lokaj përmendi kërkesën prej 235 milionë euro.
Po ashtu nga ZRRE, është marrë në konsideratë faktori i përshtatjes së të hyrave i aplikuar për të adresuar devijimet e viteve paraprake, raporton KosovaPress, transmeton Klankosova.tv.
Lokaj tha se pas komenteve të pranuara nga OSSH-ja, ZRRE ka përditësuar blerjet e humbjeve me të dhënat e realizuara për muajin mars 2026 si dhe ka përditësuar çmimin e supozuar të importit për muajt e mbetur të vitit prill dhjetor 2026 me 2.65 €/MWh.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se lejimi i këtyre të hyrave nuk do të ndikojë në rritjen e faturave të energjisë për qytetarët.
Ai shtoi se gjatë javës pritet të merret edhe vendimi për tarifat e energjisë elektrike, i cili do të përcaktojë më saktë çmimet për konsumatorët.
Fejzullahu, po ashtu, ka bërë të ditur se 28 prilli Zyra e Rregullatorit të Energjisë është anëtarësuar me të drejta të plotë në Shoqatën e Rregullatorëve me seli në Budapest.
Ai, ka thënë se përpjekjet e tyre kanë qenë të shumta pasi që një gjë të tillë nuk e ka lejuar Serbia.
“Pas 20 viteve përpjekje jemi anëtarësuar në Shoqatën e Rregullatorëve me seli në Budapest, ku pesë kontinente janë anëtar të kësaj shoqate ku është platformë më e mirë edhe më e madhe për çështje të rregullimit në Evropë, por mundem me thënë edhe në botë meqenëse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë anëtare, Kanadaja, duke përfshirë edhe anëtar të tjerë. ZRRE ka pas përpjekje deri tash, për shkak se Serbia nuk e ka lejuar të bëhemi anëtar me të drejta të plota. Që nga data 28 prill jemi anëtar me të drejta të plota në këtë shoqatë ku janë të anëtarësuar mbi 40 shtete”, ka thënë ai.

