Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës duke thënë se ky vendim konfirmon ligjshmërinë e veprimeve të institucionit dhe vazhdimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
“ZRrE mirëpret Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës lidhur me implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga Ligji për Energjinë Elektrike”, thuhet në komunikatë.
Sipas vendimit të Supremes, është hedhur poshtë kërkesëpadia për shfuqizimin dhe shpalljen e paligjshme të Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike. Gjithashtu, janë refuzuar kërkesat për korrigjimin e faturave dhe anulimin e kontratave individuale për konsumatorët jofamiljarë.
“Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi”, theksohet më tej.
Gjykata Supreme ka shfuqizuar edhe dy dispozita të Udhëzuesve për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të viteve 2017–2019, duke vlerësuar se nuk ishin të harmonizuara me legjislacionin. ZRrE njofton se tashmë ka nisur procedurat për shfuqizimin e tyre.
Në komunikatë sqarohet se të drejtën për furnizim me tarifa të rregulluara e gëzojnë vetëm konsumatorët që kualifikohen për Shërbim Universal.
“E drejta e furnizimit me tarifa të rregulluara nuk është bazuar në dispozitat e shfuqizuara të Udhëzuesit”, thekson ZRrE.
Gjykata ka konfirmuar se ky parim është në përputhje me Vendimin e Bordit të ZRrE-së për tarifat me pakicë për vitin 2025 dhe me Direktivën e BE-së 2009/72/EC. ZRrE shton se nuk ka kompetencë të caktojë tarifa për konsumatorët që nuk i plotësojnë kriteret për Shërbim Universal, të cilët me ligj duhet të furnizohen në treg të hapur.
“Furnizimi me energji elektrike në treg të hapur për këta konsumatorë është detyrim ligjor që tejkalon kompetencat e ZRrE-së”, thuhet në reagim.
ZRrE ka bërë të ditur se ka publikuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe, në zbatim të tij, do të shfuqizojë dispozitat përkatëse të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut.