Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) për shtyrje të tarifave të reja të energjisë elektrike deri më 1 maj po e konsideron vendim politik.
Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se kërkesa për rritje prej rreth 20% prej tre operatorëve nuk është gjë e duhur për shkak të ekonomisë së vendit.
“Çmimi nuk duhet rritur asesi për shkak të rrethanave që ka ekonomia e vendit, por shqetësuese përsëri mbetet çështja e vendimmarrjes së ZRRE-së, e cila në parim ka hapur procesin e pranimit të kërkesave të kompanive shërbyese energjetike, ka dalë me qëndrim se ato janë rreth 100 milionë euro, ka pasur afatet ligjore kur do duhej të hapej debati për këtë temë dhe i ka shtyrë, ka shtyrë edhe afatin e pranimit të kërkesave jashtëligjshëm dhe tani e shtyn edhe çështjen e vendimmarrjes”, tha ai.
Deputeti tha se veprimet e fundit të ZRRE-së janë në shërbim të politikës ditore.
“E që kjo nënkupton që ata janë pjesë e lojës politike për shkak të situatës politike kur ne jemi në prag të procesit të zgjedhjes së presidentit apo të zgjedhjeve të përgjithshme të jashtëzakonshme. Pra, krejtësisht veprimet e fundit të Zyrës Rregullatore janë në shërbim të politikës ditore dhe të harmonizimit të çdo hapi që ka ndërmarrë dhe po ndërmerr. Tanimë nuk kanë guxim as me thënë që nuk duhet të ngrihet çmimi, po nuk kanë guxim as me marrë vendim për ngritjen e çmimit. Proces të cilin ligjërisht e kanë filluar dhe e kanë obligim me dalë me konstatime, me dalë me raport, me dalë me një auditim dhe raport auditues për situatën reale”, theksoi Shala.
Deputeti Shala, gjithashtu përmendi edhe aferat korruptive që sipas tij po bëhen në sektorin e energjisë.
“Ndërsa në anën tjetër, i mbyllin sytë para aferave korruptive në sektorin e energjisë në KEK, në Ujman, në importe, në çështjen e liberalizimit të tregut dhe në shumë pika tjera të jashtëzakonshme që kanë efekt direkt në ekonominë dhe në jetën e qytetarëve të vendit”, u shpreh ai. Për ta shmanguar rritjen e tarifave prej 20%, Shala thotë se hapi i parë duhet të jetë auditimi i tërë procesit. “Hapi i parë duhet të kemi një auditim të tërë sistemit dhe procesit që ka filluar. Hapi i dytë do të kemi një raport të detajuar mbi të hyrat e lejuara që kanë pranuar si kërkesë tashmë, e po a qëndrojnë vërtet ato? Dhe pikërisht këto duhet t’i bëjë ZRRE-ja. Duhet ta kemi një raport auditimi, duhet ta kemi një qëndrim profesional. A janë reale ato? Nëse janë reale, si duhet t’i trajtojmë? Ka duhet t’i orientojmë? Nëse nuk janë, si ka mundësi që me ardhë kërkesa 100 milionë e t’i pranohen ato kërkesa? Pra, duhet pastaj, nëse nuk janë reale, kjo duhet t’i hedhë poshtë dhe të fillojnë procedurat tjera, organet tjerë. Por nuk mund të heshtë e të shtyjë pakufi afatet ligjore e të mos merr vendim, e të mos merr qëndrim. Në një moment të caktuar ZRRE-ja do të detyrohet patjetër me dalë me raport të fundit edhe për hapjen e procedurës, edhe për mbylljen e procedurës, për normalitetin ligjor-fiskal, për ngritjen apo mos-ngritjen, sepse ajo duhet të ketë qëndrim. Duhet të ketë transparencë. Duhet të ketë komunikim me qytetarët dhe me institucionet e vendit” theksoi deputeti.
Shala po ashtu foli edhe për çështjen e njehsorëve elektrikë, ku edhe pati pyetje ndaj ZRRE-së.
“Në anën tjetër duhet të ketë qëndrim të saktë: kur dhe si është informuar për çështjen e njësorëve? Cilët hapa i ka ndërmarrë? A është e vërtetë kjo që po shkruajnë mediat dhe po thonë qytetarët dhe po thonë deputetët e Kuvendit, që ka shmangie të numërimit të kohës? Sa është kostoja? Kush është goditë në këtë? Kur do të kthehen këto mjete qytetarëve? Ku ishin institucionet përgjegjëse tash e gjashtë vjet? Cili është raporti zyrtar i ZRRE-së me këtë kompani që ka monitoruar, ka kalibruar apo ka prurë një situatë të tillë? Këto nuk mund të heshten, këto nuk mund të fshihen, këto nuk mund të anashkalohen me lojëra të afateve – jo prill, jo maj”, tha ai.
E sa i përket importit, ai pati kritika edhe për mos transparencë.
“Në radhë të parë ne duhet të kemi një transparencë të çështjes së kapaciteteve prodhuese, kapaciteteve gjeneruese tona. A janë në bazë të planifikimit? A kanë hyrë në remont blloqet sipas planifikimit? Sa do të zgjasin ato? Dhe ZRRE-ja duhet ta ketë parasysh a ka qenë brenda normalitetit planifikues dhe kohës që kërkojnë remontet. Mbi bazën e kësaj duhet të hartohet plani i sanimit të kësaj humbjeje ose mos-prodhimi dhe pastaj me kohë dhe me planifikim të përcillet tregu global, bursat, dhe të bëhen kontrata afatgjata të furnizimit. Ne në këtë sektor, siç e kemi thënë shumë herë, kemi jashtëzakonisht manipulime të mëdha, keqpërdorime të mëdha, importe të paarsyeshme shumë herë, ndalesa dhe si me thënë sanksionim të qytetarëve me ndërprerje të energjisë, ndërsa institucionet e shtetit heshtin. Dhe në fund të gjitha këto kanë kosto financiare për qytetarët e vendit” u shpreh ai.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka vendosur të shtyjë hyrjen në fuqi të tarifave të reja të energjisë elektrike, të cilat fillimisht ishin paraparë të aplikoheshin nga 1 prilli 2026.
Sipas vendimit të ri, tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj 2026, ndërsa gjatë muajit prill do të vazhdojnë të mbeten në fuqi tarifat aktuale.
Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka konfirmuar se nuk do të ketë ndryshime gjatë këtij muaji.
Rritje të çmimit të rrymës prej rreth 20% ka kërkuar Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).
