“Jemi në një garë armatimi me Rusinë dhe ata do të përmirësohen gjithnjë e më shumë me kohën.”
Kështu ka deklaruar shefi ekzekutiv i Facebook Mark Zuckerberg për senatorët amerikanë. Sipas themeluesit të rrjetit social, kompania e tij është në betejë të vazhdueshme me operatorët rusë të cilët kërkojnë të shfrytëzojnë jo vetëm sistemin e Facebook, por edhe të tjera sisteme të internetit.
Zuckerberg konfirmoi se kompania tashmë po zhvillon mjete të reja për identifikimin e llogarive të rreme për të penguar punën e dëmshme të këtyre operatorëve rusë.
Shefi ekzekutiv i Facebook zbuloi për senatorët amerikanë se stafi i kompanisë së tij është marrë në pyetje nga Robert Mueller, prokurori i posaçëm i cili po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016.
Zuckerberg shtoi se ai nuk ka qenë ndër personat e intervistuar nga zyra e zotit Mueller, ndërsa sqaroi se puna mes dy palëve është konfidenciale.
Kujtojmë se hetimi i prokurorit të posaçëm ka ngritur akuza ndaj 13 shtetasve dhe 3 kompanive ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të dy viteve më parë, të fituara nga republikani Donald Trump.