Paralajmërimi për mbyllje të gastronomisë në një periudhë 12 ditore për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Covid-19, po kundërshtohet nga Shoqata e Gastronëmve dhe qytetarët e anketuar nga Ekonomia Online.
Në Shoqatën e Gastrnomëve kanë thënë se janë kundër mbylljes, të cilët të hënë do të mbajnë mbledhje të Këshillit Drejtues, ku do të vendoset për veprimet e ardhshme.
Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve ka thënë se nuk pajtohen aspak me masat që do të merren nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.
Tutje ai tha se sot do të vendoset gjatë mbledhjes nëse do të ketë protesta gjatë ditëve në vahzdim.
“Sigurisht që nuk pajtohemi dhe nuk jemi pajtuar asnjëherë me mbyllje totale sidomos këtë periudhën e fundit dhe mbas fushatës së partive që kanë bërë dëmin më të madh. Kështu që realisht sot kemi realizuar mbledhjen e jashtëzakonshme me përfaqësues të të gjitha komunave për ta kundërshtuar dhe të shikojmë për masat që do të ndërmarrim tash e tutje. Në takimin që kemi qenë ministrinë e shëndetësisë Arben Vitia gjithmonë kemi folur për konsultime, por këtë herë na kanë thirrur vetëm për informatë gjë që e kundërshtojmë fuqimisht dhe kemi për të luftuar që të mos mbyllemi sepse s’kemi më fuqi as 12 orë me u mbyll. Nuk e përkrahim dhe do të tentojmë të mos lejojmë mbyllje totale”.
Mes tjerash, Zuka shtoi se janë për masa rigoroze por jo mbyllje totale.
Ai tha se humbjet janë të mëdha në gastronomi, ndërsa kompensimi nga ministria e financave është qesharak.
“Ne kemi kërkuar që duhet të merren masa rigoroze në mirëmbajtjen e masave, distanca, higjiena por jo mbyllje totale. Nuk ka logjikë për të pasur mbyllje. Dhe ne duhet të veprojmë a duhet të kemi protestë. Humbjet janë të mëdha prej fillimit të mbylljes sepse kompensimi ka qenë qesharak. Së paku nëse nuk je në gjendje me ndihmuar mos na mbyll. Në takim me ministrinë e Financave është folur që do të ketë kompensim gjysmë muaji për qira dhe gjysmë për punëtorë. Por prapë ka mangësi sepse nuk ka para. Prej gastronomëve ka shumë opsione që bashkërisht kemi me vendos për protesta apo diçka tjetër. Ka gjasa që të ketë protesta”, tha ai.
Edhe disa qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online po e shohin mbylljen 12 ditore si vendim të gabuar.
Sipas qytetarit Valon Morina kjo mbyllje vetëm do të thellonte krizën në të cilën gjendet vendi aktualisht.
“Nuk është shumë në rregull me u mbyllë sepse ne jemi që 21 vite në krizë dhe kriza veç po thellohet. Përderisa këta nuk kanë pas ligj e konsideratë me marrë ndaj partive politike, pse me na mbyllë neve tash. Virusi është në krejt botën, por mendoj që çdo gjë shkon me masë. Për dikë liri e tepërt, për dikë jo nuk është e drejtë” është shprehur ai.
Edhe qytetari Samedin Beqiri, mendon se mbyllja do të shkaktonte kolaps në fushat kryesore si ekonomia e shëndetësia.
“Jemi kundër mbylljes totale, shkaku se gati që një vit ekonomia e shëndetësia janë në kolaps. Duhet të gjendet mënyra se si me u përshtatë rrethanave në këto kushte që jemi. Normal që do të ndikonte jo vetëm në mua por edhe në 60-70 përqind të popullsisë. Bizneset private janë në gjendje shumë të vështirë, detyrohen me mbyll nuk ndihmohen assesi, duhet të gjendet një mënyrë që pas mbylljes me financuar ose me ndihmu që të tejkalohen këto sfida” ka thënë ai.
Kurse Behxhet Rexha thotë se kjo masë duhet të merret për të mirën e shëndetit të qytetarëve.
“Mirë është me marr masa sigurisht për qytetarët dhe për shëndetin. Brenda 10 ditësh tani hapet sigurt merren masa tjera më mirë e dinë shteti”, tha ai.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka dal me një vendim nëse do të ketë mbyllje. Ideja për mbyllje është kundërshtuar edhe nga kryetarët e Komunave të Kosovës.