Këshilltari i Kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj, ka thënë se megjithëse nga sot Kosova nuk do të përfaqësohet më me emrin UNMIK në Marrëveshjen e Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), ajo edhe më tutje do të përfaqësohet me asterisk (*), raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë të përbashkët me ministren Rozeta Hajdari, ai ka thënë se përfaqësimi i tillë s’ka qenë i mundur, ani pse është kërkuar që nga viti 2021, për shkak të refuzimeve të Serbisë për ta trajtuar Kosovën si të barabartë.
“Po përfaqësimi rajonal ende është me asterisk. Lista e vendimeve që kanë pritur në komitetin e përbashkët në CEFTA tregon për rëndësinë dhe tregon përse nuk kemi mundur deri tash të përfaqësohemi si vendet tjera anëtare, për shkak se nga viti 2021 kur është kërkuar kjo kërkesë, Serbia ka refuzuar ta trajtojë Kosovës si e barabartë”.
Zulfaj ka folur edhe për vendimin për Agjendën e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, e që për objektivë ka zbatimin e reformave drejt aderimit në BE dhe atyre për rritje ekonomike, të negociuara me BE-në.