Dy futbollistët kosovarë kanë mbetur pa klub pasi Zurichu ka vendosur të mos ua vazhdojë atyre kontratat. Tash, dy përfaqësuesit kosovar do të jenë lojtarë të lirë dhe do ta kërkojnë një eksperiencë të re
Benjamin Kololli dhe Hekuran Kryeziu nuk do të jenë më pjesë e Zurichut. Në fakt, klubi zviceran përmes një njoftimi në uebfaqen e vetë zyrtare ka zbuluar se dy përfaqësuesve kosovarë nuk do t’ju vazhdohet kontrata. “Si pjesë e planifikimit të skuadrës, do të ketë ndryshime në klubin e futbollit Zurich. Kontratat e Benjamin Kolollit dhe Hekuran Kryeziut nuk do të vazhdohen”, ka njoftuar Zurichu.
Me këtë rast, dyshja kosovare tash e tutje do të jetë e lirë dhe do ta kërkojë një eksperiencë të re. 29 vjeçari Kololli e ka nisur karrierën në Sion, prej nga ishte huazuar në Le Mont LS, FCBiel, BSC Young Boys dhe FC Lausanne-Sport para se të transferohej në Zurich në verën e vitit 2018. Ai ia ka zhvilluar 92 ndeshje me Zurichun, duke i realizuar 26 gola dhe i ka bërë 19 asistime.
Gjithashtu, mbrojtësi i majtë kosovar, i cili mund të luajë edhe si sulmues, i ka zhvilluar 23 ndeshje me ekipin kombëtar të Kosovës. Kurse, mesfushori qendror Kryeziu ka luajtur për të rinjtë e SC Kriens dhe të FC Luzern para se t’i bashkohej ekipit të parë të Luzernit në sezonin 2011/2012, ndërkohë që një sezon e kaloi në FC Vaduz. Në verën e vitit 2018, Kryeziu kaloi nga Luzerni në Zurich.
26 vjeçari i ka zhvilluar 77 ndeshje me ekipin zviceran, ndërsa i ka realizuar edhe dy gola. Ai e kishte pësuar një lëndim të rëndë dhe më nuk ka mundur të rikthehej në formën ideale. “Ne do të donim t’i falënderojmë Benjin dhe Hekin për kontributin e tyre në Zurich dhe iu urojmë atyre fat dhe suksese në të ardhmen”, ka shkruar në fund klubi zviceran.