Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (Regional Cooperation Council) –RCC, nga data 10 qershor 2019, ka publikuar thirrjen e dytë për Grante në kuadër të projektit për turizëm “Triple P” në Evropën Juglindore. Për këtë arsye sot është organizuar sesioni informues për aplikuesit potencialë nga Kosova.
Në këtë sesion informues u tha se qëllimi i këtyre granteve është të zhvillojë dhe të promovojë globalisht ofertat e përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuristik për të sjellë më shumë vizitorë në Ballkanin Perëndimor, si dhe për të zgjatur qëndrimin e tyre dhe për të rritur të ardhurat dhe punësimin në industrinë e turizmit.
Me këtë rast, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Fadil Arifi, e vlerësoi lart bashkëpunimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me RCC, ku theksoi se Kosova ka potencial të bollshëm për zhvillimin e turizmit kulturor dhe aventuristik dhe se projektet e tilla si “Triple P”, janë gjithmonë të mirëseardhura.
Ai foli edhe për synimet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe nevojën për përkrahje me grante nga organizatat donatore, që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit në Kosovë dhe si rezultat i kësaj do të rritet edhe numri i punësimeve.
“Zhvillimi i produkteve turistike ka qenë synim i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ku bashkërisht me përkrahjen e organizatave donatore, por nevoja për përkrahje janë shumë më të mëdha, andaj këto grante që do të ofrohen sot dhe në të ardhmen nga projekti “Triple P” do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit të Kosovës dhe do t’ua lehtësojnë bizneseve turistike dhe organizatave të tjera të zgjerojnë ofertat e tyre dhe njëkohësisht të rrisim edhe numrin e punonjësve”. tha zëvendësministri Arifi.
Sipas zëvendësministrit Arifi, ofertat për produktet turistike të përbashkëta si rajon, do të ndikojnë në tërheqjen e vizitorëve të largët, pasi që këto oferta do të dukeshin më atraktive.
“Produktet tona turistike të përbashkëta si rajon, mund të jenë shumë atraktive për vizitorët më të largët ndërkombëtar, por ky synim, sigurisht se do të arrihet me një vullnet të mirë për bashkëpunim në mes vendeve të Ballkanit dhe duke punuar e krijuar kushte sa më të favorshme për zhvillimin dhe promovimin e tyre, por njëkohësisht duke e ngritur cilësinë e shërbimeve, si dhe duke adaptuar standardet evropiane”, potencoi Arifi.
Arifi po ashtu tregoi për përfitimet që mund të kemi nga turizmi për zhvillimin e vendit, si në aspektin ekonomik, infrastrukturë, në aspektin social dhe kulturorë.
“Bashkërisht të gjithë ne do të konsiderojmë turizmin si një nga mundësit për zhvillimin e vendit, i cili ofron kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin rajonal dhe lokal, përmirësim të standardit jetësor të popujve. Po ashtu integron natyrën, kulturën, historinë, gastronominë dhe mikpritjen tradicionale në mënyrë kreative, të bazuar në përvojat ekonomike dhe në mënyrë inovative”, shtoi Arifi.
Në fund, zv.ministri Arifi u shpreh se atraksionet natyrore të mrekullueshme, si: malet e larta, ujëvarat, shpellat, liqenet, lumenjtë, burimet termo-minerale kanë filluar të paketohen si produkte turistike dhe të ofrohen për shitje në formën e tureve aktive dhe aventuristike, po ashtu: turizmi rural, sportet dimërore, ecje në natyrë dhe alpinizëm, ku të gjitha këto aktivitete kanë filluar të përfshihen edhe në oferta të përbashkëta rajonal dhe ndërkufitare, siç është “Ballkans” apo “Trans Dinarika”.