Ndërtimi i sistemit të ujësjellësit në disa fshatra në Komunën e Gjilanit është zvarritur, teksa qeverisja komunale ka kërkuar nga kompania regjionale e ujësjellësit “Hidromorava” përgjegjësi në lidhje me ngecjet të cilat janë shënuar.
Komuna ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit me kompaninë “Hidromorava” dhe me CDI-në zvicerane. Me këtë marrëveshje është paraparë ndërtimi i rrjetit në lagjen “Poredin”, e cila gjendet në qytetin e Gjilanit, si dhe investimet në sistemin e rrjetit të ujësjellësit në fshatrat Verbicë e Kmetocit, Bilinicë, Vrapçiq. Vlera e investimit kap shifrën mbi 800 mijë euro.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se ka vonesa në implementimin e projektit dhe se ka kërkuar përgjegjësi nga kompania “Hidromorava”, shkruan sot Koha Ditore.
“Kemi vonesë në ndërtimin e ujësjellësit, Belinicë, Vrapçiq dhe Stublinë dhe rehabilitimi i rrjetit në Nasalë. Besoj shumë që ‘Hidromorava’ si bartesë e projektit deri të premten me na pru dinamikën e re të realizimit të programit. Sa i përket programit që kemi vendosur, është projekti i gjelbërimit të qytetit, është parku ‘Baja’, ‘Parku i paqes’ dhe ‘Parku i pajtimit’ në fshatin Bresalc”, ka thënë Haziri gjatë mbledhjes së bordit të drejtorëve.