Ministria e Administratës Publike (MAP) ende nuk e ka proceduar në Qeveri Projektligjin për Pagat. Ndonëse me këtë projektligj pritet të zvogëlohen përgjysmë beneficionet e zyrtarëve shtetërorë, i njëjti nuk ka gjetur rrugën ligjore për t’i nivelizuar pagat në sektorin publik në Kosovë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Zyrtarët shtetërorë po i gëzojnë pagat me rritjen të cilën e vendosën vetë. Përfitime të tilla duket se do të përjetojnë edhe më tutje, pasi Ministria e Administratës Publike (MAP) është duke e zvarritur procedimin në Qeveri të Projektligjit për Paga si deri më tani.
Gazeta “Zëri” ia ka përcjellë pyetjet me shkrim kabinetit të ministrit, Mahir Yagcilar, për t’i kuptuar arsyet e zvarritjes. Në këtë institucion thonë se kanë përfunduar punën me hartimin e Projektligjit për Paga, por po presin vetëm vlerësimin financiar nga Ministria e Financave.