“Turizmi” i shoppingut” ose kalimi i zviceranëve për të blerë artikuj të përdorimit të përditshëm në Gjermani pothuaj gjithmonë ka qenë me leverdi për amvisnit zvicerane.
Kështu është edhe sot por megjithatë, gjatë vitit të kaluar, 2018 është shënuar një rënie e theksuar e mallrave që zviceranët kanë blerë në qendrat tregtare të fqinjit të madh, Gjermanisë.
Këtë e tregon rënia e numrit të “kuponëve të gjelbër”, siç quhen dëshmitë e TVSH-së që shitoret gjermane ua japin blerësve zviceranë për të kompensuar pagesën e saj në doganë.
Kështu, gjatë vitit 2018 janë shtypur 15.9 milionë kuponë të tillë ose 1.4 milion më pak që është një shifër për 8.1 për qind më e vogël se ajo e një viti më parë.
Ndonëse e gjithë kjo flet për një rënie të trendit të blerjeve në Gjermani, doganierët e relativizojnë atë.
“Trafiku në vendkalimet kufitare është njësoj i lartë. Por rreshtat në sportelet e kompensimit të TVSH në pikat doganore të shtunave dhe në kohën e pikut nuk janë më aq të gjatë”, ka thënë një zyrtar në Zyrën Doganore të Gjermanisë në Lorrach, përcjell Albinfo.
Kolegu i tij në zyrën tjetër, atë në Singen thotë se, “ndonëse ka një rënie të shifrave, ato vazhdojnë të jenë në një nivel ende të lartë”.
Por kjo ulje e blerjeve në Gjermani nuk duket të ketë shumë të bëjë me ndryshimin e kursit të euros në raport me frangun, që në fillim të vitit 2018 ishte 1.17 ndërsa në fund të vitit 1.13. Kështu, frangu në fund të vitit u bë më i fortë, që nënkupton se fuqia blerëse e zviceranëve në raport me Gjermaninë është ngritur dhe ky zhvillim më shumë do ta stimulonte turizmin tregtar në Gjermani se sa të kundërtën.
Prandaj, një shpjegim tjetër duket se është më bindës kur duam të kuptojmë arsyen e uljes së vullnetit të turistëve të përmendur për të bërë pazaret e tyre në Gjermani. Përderisa konkurrenca ka bërë që në tregun zviceran të ketë ulje të çmimeve të artikujve për përdorim të përditshëm, në Gjermani është shënuar një trend i kundërt, pra ka pasur një shtrenjtim të tyre.
Kështu, sipas një eksperti të Credit Suisse që e citon 20minuten.ch, nëse një vit më parë mesatarja e çmimeve të artikujve në Gjermani ka qenë 40 për qind më e ulët se ajo në Zvicër, në vitin 2018 ndryshimi është zvogëluar dhe ka rënë në rreth një të tretën. Kjo e ka bërë shopingun e zviceranëve në Gjermani më pak tërheqës se më parë.
Një shkak tjetër është sigurisht edhe situata e rëndë sa i përket trafikut, gjegjësisht krijimi i kolonave të gjata në kufi me Gjermaninë. Dhe sigurisht, edhe mungesa kronike e vendeve për parkim gjatë vikendeve për shembull në Konstancë, që është pika e këtij turizmi të zviceranëve.
Ajo që është e sigurt në gjithë këtë rrëfim është se turistët zviceranë të shoppingut marrin për çdo ditë pune mesatarisht nga 33.800 kuponë të gjelbër për t`i shtypur në doganë. Kjo, vetëm në zonën që e mbulon pika e doganës në Singen.