Qeveria zvicerane do ta ndihmojë Kosovën me një projekt në vlerë 7 milionë e 280 mijë franga zvicerane (CHF), në fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me qëllim rritjen e punësimit të të rinjve dhe të grave.
Marrëveshja për këtë projekt u nënshkrua sot nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, dhe drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim (SCO) në Kosovë, Patrick Etienne.
Projekti është katërvjeçar dhe është pjesë e “Promovimit të Punësimit në Sektorin Privat (PPSE)”.
Duke folur pas nënshkrimit, Etienne tha se kjo marrëveshje është pjesë e përpjekjeve të PPSE-së dhe Ambasadës së Zvicrës për të mbështetur sektorin privat, zhvillimin dhe punësimin në Kosovë, me fokus punësimin e të rinjve dhe të grave.
“Ne jemi të fokusuar edhe për një fazë prej 7.28 milionë franga, ndërsa në përgjithësi janë investuar rreth 20 milionë për katër vjet në punësim dhe shpresojmë të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me MTI-në”, u shpreh Etienne.
Kreu i MTI-së, Bajram Hasani, falënderoi shtetin zviceran që po vazhdon të mbështesë Kosovën dhe shprehu përkushtimin e tij që ky program të jetësohet.
“Nënshkruam marrëveshjen për fazën e dytë të këtij projekti për çka shteti zviceran ka ndarë 7 milionë franga… Qëllimi i këtij projekti është fuqizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me fokus të veçantë në punësimin e të rinjve”, u shpreh ai.
Edhe Hasani theksoi se qëllimi i këtij projekti është fuqizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ku fokus të veçantë i jep punësimit të të rinjve dhe punësimit të gruas.