Federata e Futbollit e Zvicrës ka hequr bllokadën e vënë vite më parë për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe ka lejuar që përfaqësuesja të luajë miqësore në këtë vend.
Të martën është konfirmuar se miqësorja Kosovë – Shqipëri do të luhet më 29 maj në Zuerich (20:00), në stadiumin “Letzigrund” me kapacitet mbi 26 mijë ulëse, shkruan sot Koha Ditore.
Ndeshja ndërmjet dy ekipeve shqiptare ishte caktuar shumë më herët, por vetëm të martën Federata zvicerane dha lejen të zhvillohet. Federata “helvetike” ka kohë që ia ka ndaluar Kosovës të organizojë ndeshje në Zvicër.
Zyrtarisht, federata zvicerane pati thënë se nuk është e gatshme të marrë rrezikun që mund të vijë nga tifozët, por jozyrtarisht është thënë se kjo ka të bëjë edhe me inatin për lojtarët kosovarë të rritur në Zvicër, e që Kosova i kërkon në vazhdimësi.