Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, gjatë qëndrimit në Cyrih të Zvicrës është takuar me kryetarin e Odës Ekonomike të Zvicrës, Reto Iten dhe me këtë rast kanë biseduar lidhur me bashkëpunimin në mes të dy vendeve në fusha të ndryshme dhe kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në mes të dy odave.
“Ky memorandum përmban në vete çështjet të cila do të garantojnë avancim të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy shteteve mike dhe komunitetit të biznesit”, tha kryetari Gërxhaliu.
Dy kryetarët biseduan lidhur me aktualitetin ekonomik në Kosovë, objektivat strategjike të Kosovës në të ardhmen dhe u vu në pah rëndësia e bashkëpunimit ekonomik me Zvicrën në format e avancuara.
Po ashtu kryetari Gërxhaliu kërkoi avancimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit profesional, pasi që Zvicra ka një model shumë të avancuar të këtij lloji të arsimi dhe në mënyrë graduale duhet avancuar bashkëpunimi në mes të dy vendeve në këtë drejtim.
Gjatë bisedave vend të posaçëm kishte rëndësia e diasporës kosovare me ç’rast kryetari Gërxhaliu falënderoi shtetin zviceran për kontributin e dhënë në pranimin dhe përkrahjen e diasporës kosovare.
“Besoj se diaspora nga Zvicra e përkrahur edhe nga shteti i Zvicrës do të jetë pjesë e forcimit të shtetit të Kosovës në veçanti në aspektin ekonomik”, tha kryetari Gërxhaliu.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar se duhet vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin në mes të dy institucioneve më të mëdha të biznesit në Kosovë dhe Zvicër dhe që duhet të vazhdohet praktika e forumeve me karakter ekonomik .
Me këtë rast përkrahje një orientimi të tillë iu dha edhe nga ana e ambasadores së Kosovës në Zvicër, zonjës Nazane Breca.