Qeveria e vendit e ka justifikuar vendimin e saj të ri për prezantimin e testeve të dyfishta me faktin se udhëtarët e kthyer kanë kontribuar në situatën shqetësuese të pandemisë që vazhdon të mbretërojë në Zvicër.
“Rregullat e reja marrin parasysh faktin se me variantin shumë ngjitës Delta, numrat e infeksioneve në rajon mund të rriten shumë shpejt”, shkruan Këshilli Federal. Për këtë arsye, një listë e azhurnuar periodikisht e vendeve të rrezikut nuk është më e dobishme sa u përket masave sanitare kufitare.
Rregullat që hyjnë në fuqi nga e hëna:
Test i detyrueshëm gjatë hyrjes
Të gjithë personat që nuk janë vaksinuar as shëruar duhet të tregojnë një test negativ (antigjen ose PCR) gjatë hyrjes, pavarësisht se nga cili vend vijnë dhe me çfarë mjeti transporti udhëtojnë transmeton albinfo.ch
Testi i dytë
Pas katër deri në shtatë ditësh të kaluara në Zvicër, kërkohet një test tjetër, i kryer në Zvicër. Ky test paguhet. Rezultati i testit të dytë duhet t’i dërgohet zyrës kantonale përgjegjëse. Ndërkaq nuk ka asnjë detyrim testimi për njerëzit e vaksinuar dhe të shëruar me një certifikatë Covid ose dëshmi tjetër të vlefshme të vaksinimit ose shërimit.
Formulari i detyrueshëm për udhëtarët
Të gjithë udhëtarët që vijnë nga jashtë – të vaksinuar, të shëruar dhe njerëzit që kanë dalë negativë – gjithashtu duhet të plotësojnë formularin e hyrjes (Formulari i gjetjes së udhëtarëve, SwissPLF). Kjo u mundëson kantoneve të kryejnë kontrolle në vend për të përcaktuar nëse njerëzit që nuk janë vaksinuar ose shëruar dhe që kanë ardhur me një test kanë kryer një test të dytë pas katër deri në shtatë ditë.
Udhëtarët ndërkufitarë nuk preken nga rregullat e reja
Përjashtohen nga detyrimi i testit dhe formularit njerëzit që udhëtojnë përmes Zvicrës pa u ndalur, ata që transportojnë mallra ose njerëz në baza profesionale, si dhe udhëtarët ndërkufitarë dhe njerëzit që hyjnë nga zonat kufitare, transmeton albinfo.ch. Në këtë mënyrë, Këshilli Federal vlerëson rëndësinë e shkëmbimit të ngushtë ekonomik, social dhe kulturor në zonat kufitare.
Fëmijët nën moshën 16 vjeç gjithashtu përjashtohen nga testi.
Kontrolle të bazuara në rrezik në kufi
Mbi dy milionë njerëz dhe një milion automjete kalojnë kufijtë zviceranë çdo ditë. Kontrollet e bazuara në rrezik kanë për qëllim të sigurojnë respektimin e rregullave të reja. Njerëzit të cilët nuk munden të paraqesin një test gjatë hyrjes duhet ta bëjnë këtë menjëherë pas hyrjes në Zvicër.
Nga kantonet atyre u kërkohet të kryejnë kontrolle të rastësishme për të përcaktuar nëse njerëzit e pakonvalencuar dhe jo të vaksinuar kanë marrë testin e dytë.
Gjobat e ardhshme
Nëse shkelet ky rregull, mund të vendosen gjoba (200 franga për certifikatat e munguara të testit dhe 100 franga për formularët e pa plotësuar).
Kompanitë ajrore në distanca të gjata dhe kompanitë e autobusëve duhet të kontrollojnë nëse njerëzit që hyjnë në vend kanë një PLF dhe një certifikatë Covid ose certifikatë testimi, përcjell albinfo.ch. Administrata Doganore Federale (EZW) dhe njësitë policore përgjegjëse në vend kryejnë kontrolle të bazuara në rrezik në të gjitha llojet e transportit ndërkufitar./albinfo.ch