Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba i është kundërpërgjigjur deklaratave të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili e quajti sekser duke e akuzuar për trafikim të votave.
Ai në një përgjigje për Kohën ka pranuar se është takuar me njërën nga deputetet e AAK-së, Albana Bytyqin, por ka mohuar se i ka bërë presion për të votuar.
Ai ka thënë se me deputeten në fjalë ka pirë kafe në një lokal dhe se e njëjta ka pasur bindje që të votojë, porse e ka respektuar qëndrimin e partisë.
“Unë meqenëse jam i Therandës dhe dy deputete të AAK-së janë nga Theranda, njëra prej deputeteve është motra e një anëtari të Kryesisë së degës së VV-së ku kryetar jam unë. Një ditë kemi pirë kafe me deputeten Albana Bytyqi-Kuqi por nuk ka pas as joshje as asgjë përveç diskutim për rrjedhat aktuale politike. Mendoj që gjatë diskutimit e kam kuptuar që e njëjta ka bindje që duhet të votojë për e ka respektuar qëndrim e partisë, të cilin e respektoj edhe unë”, ka thënë ai.
Ai tutje duke komentuar deklaratat e Haradinajt ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e ish-pushtetarëve me përvojat e tyre mendojnë se mund të etiketojnë e shantazhojnë deputetët.
“Sa i përket deklaratës së Haradinajt më vjen keq për nivelin që ka rënë ai dhe një pjesë konsiderueshme e ish-pushtetarëve dhe me përvojat e hidhura të tyre mendojnë të etiketojnë dhe apo shantazhojnë deputetë dhe zyrtarë të tjerë. Praktika e blerjes së votave i takon së kaluarës dhe ndoshta përfshirë edhe vetë Haradinajn për jo mua personalisht dhe as subjektit që i takoj. Është angazhim im i plotë për të dhënë kontributin në Kuvend”, ka thënë ai.