Zyra e BE’së në Kosovë thotë se nuk duhet të ketë ndërhyrje në punën e Komisionit Qendror Zgjedhor. Zëdhënësja e Përfaqësuesit Special të BE’së në Kosovë, Dinka Zhivalj i tha Gazetës Express se certifikimi i kandidatëve për deputetë është procedurë e përcaktuar me ligj dhe për të ka mundësi ankese.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thotë që procedura e certifikimit të kandidatëve për deputetë është e parashikuar me ligj.
Zëdhënësja e Zyrës së BE’së dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evopian në Kosovë, Dinka Zhivalj tha për Gazetën Express se institucionet e pavarura si KQZ’ja duhet të kenë mundësinë që të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje.
“Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende duke vazhduar. Këto procedura janë të përcaktuara nga ligji dhe e përfshijnë mundësinë për t’u ankuar. Është me rëndësi që institucionet e pavarura dhe organet përkatëse juridike të kenë mundësi ta kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje”, tha Zhivalj.
Zhivalj tutje u shpreh se Bashkimi Evropian pret që institucionet e Kosovës të mbajnë zgjedhje në përputhje me standardet evropiane.
“Ne presim që institucionet e Kosovës ta sigurojnë organizimin e zgjedhjeve të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente, të mbajtura në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha ajo.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka verifikuar listën me 1081 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit
Kjo listë i është dorëzuar Komisionit Qendror Zgjedhor dhe sipas KQZ’së, 47 kandidatë janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.
Njëri nga kandidatët për deputë që është shpallur fajtor për vepër penale me vendim të prerë të Gjykatës është edhe kandidati i VV’së për kryeministër, Albin Kurti.
Por moscertifikimin e Kurtit për të kandiduar për deputet po e kundërshtojnë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Glauk Konjufca mbrëmë në një intervistë në RTV Dukagjini ka deklaruar se brenda KQZ’së një person me emrin Valdete Daka është kundër Albin Kurtit.
“Personi i cili ne KQZ po ndikon qe edhe kerkesa me qene sugjestive dhe kunder Albin Kurtit eshte Valdete Daka. Ata kurgjo nuk po zbatojne (KQZ), po dojne eleminim politik”, ka deklaruar Konjufca.
Ndërkaq sot, Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka ka mbajtur një konferencë për media ku i është kundërpërgjigjur anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili dje tha se Daka po dëshiron ta eliminojë politikisht Albin Kurtin.
“Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua, një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike dhe që asnjëherë nuk ka qenë pjesë e partive politike. Pavarësisht kësaj, unë jam krenare që drejtoj një institucion si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ka një staf profesional, puna e të cilëve vlerësohet lart në raportet e organizatave ndërkombëtare. Kjo është forca më e madhe që kam dhe që u dalë të gjithëve ballëhapur”, tha Daka.