Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, fton të gjithë të interesuarit/at, që kanë kualifikim dhe përshtatshmëri profesionale, që të aplikojnë në konkurset e hapura për Ndërmarrjet Publike.
Qeveria e Republikës së Kosovës inkurajon gratë, pjesëtarët e komunitetit jo-shumicë dhe personat me nevoja të veçanta, të aplikojnë në këto konkurse.
Në mbështetje të nenit 9 të Ligjit Nr. 05/L-120 për Trepçën, të nenit 15.6 të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, si dhe nenit 8 paragrafi 1 i Ligjit Nr. 04/L-111 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, si dhe duke u bazuar në nenin 5 të Rregullave mbi Identifikimin e Kandidatëve për Drejtor të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike dhe Metodologjinë e Vlerësimit, Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit ka shpallur konkurs për Anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Trepça Sh.A.
Dokumentacioni i kërkuar sipas konkursit, duhet të jetë në pliko (zarf) të mbyllur ku shkruhet emri dhe mbiemri si dhe emri i Ndërmarrjes Publike në të cilën konkurron kandidati dhe të dorëzohen në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit, Ndërtesa e Qeverisë, kati i I-rë, zyra nr. 34.
Afati i konkursit është i hapur deri më datën 20 qershor 2021.
Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë të interesuarit/at, që kanë kualifikim dhe përshtatshmëri profesionale, që të aplikojnë në konkurset e hapura për Drejtorë të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike Qendrore për:
1. Posta e Kosovës, Sh. A. (PK) dhe
2. Kompania Rajonale e Ujësjellësit – Hidromorava-Sh. A.- Gjilan.
Njëkohësisht, Qeveria inkurajon gratë, pjesëtarët e komunitetit jo-shumicë dhe personat me nevoja të veçanta, të aplikojnë në konkurset e hapura.
Dokumentacioni duhet të jetë në pliko (zarf) të mbyllur ku shkruhet emri dhe mbiemri si dhe emri i Ndërmarrjes Publike në të cilën konkurron kandidati dhe të dorëzohen në Sekretariatin Koordinues të Qeverisë, Ndërtesa e Qeverisë, kati i I-rë, zyra nr. P34.
Afati i konkursit është i hapur deri më 10 qershor 2021.
Vegëza me të gjitha informatat për konkurset e hapura : https://kryeministri-ks.net/dokumente/
Për informata shtesë të interesuarit/at mund të njoftohen përmes telefonit 038/200 14 400.
Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të ketë procese rekrutimi me integritet e transparencë. Qeveria, si aksionar i Ndërmarrjeve Publike, ka qëllim të sigurohet që personat kompetentë dhe me integritet përzgjedhen në borde, në mënyrë që të përmirësohet menaxhimi dhe performanca e tyre, dhe përfundimisht shërbimet për qytetarët e bizneset.