Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi gazetari dhe drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, është marrë në pyetje nga Shërbimi Sekret serb (BIA), shkruan Paparaci.
Vela ka shkruar se marrja në pyetje e Kelmendit është shembull se si regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, po minon lirinë e lëvizjes për kosovarët.
“Ngacmimi i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë ndaj gazetarit të Kosovës Adriatik Kelmendi, është një shembull se si regjimi i Vuçiqit minon lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës”, shkruan ai në Twitter.
Tutje shefi i kabinetit të presidentes ka shtuar se një veprim i tillë është fytyra e vërtetë e fasadës së quajtur “Ballkan i Hapur”
“Natyrisht, diskriminimi dhe masat arbitrare janë fytyra e vërtetë e një fasade të quajtur ‘Ballkani i Hapur’”, shkruan Vela.
Kujtojmë se edhe rrjeti i pajtimit KOMRA ka reaguar pasi Shërbimi Sekret serb (BIA) ka marrë në pyetje gazetarin Adriatik Kelmendi i cili ishte pjesëmarrës në Forumin e XIV-të për drejtësinë tranzicionale në vendet post-jugosllave në Beograd.
Në reagimin e KOMRA-s i bëhet thirrje BIA-s serbe që të të ndërpresë veprimet e bisedave informative për avokuesit e pajtimit rajonal, pasi secilën herë që gazetari Kelmendi ka udhëtuar për në Beograd është marrë në pyetje nga inspektorët e BIA-s.