Zyra e Prokurorit të Speciales në ecurinë e çështjes së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt që u mbajt sot tha se në listën e provave janë 10 dëshmitarë.
Ai tha se hetimet janë në vazhdim dhe se përveç sasisë së provave që do të paraqiten në gjykim, ZPS-ja ka edhe 114 zëra në listën e tyre.
“Hetimet janë në vijimsi, ne kemi propozuar një afat për nxjerrjen e materialeve deri në atë kohë ne do të kemi bërë edhe hetimet kryesore me kushtin që sigurisht ato hetimet të vazhdojnë edhe gjatë procesit dhe gjatë kësaj do të bëhen edhe aplikimet e përkatëseve për nxjerrjet e materialeve. Përveç sasisë së provave që do të paraqiten në gjykim, ne kemi thënë që do të kemi 114 zëra në listën tonë, presim që kjo do të jetë pjesa kryesore e provave. Po kështu në këtë javë ne kemi dorëzuar edhe dokumente që janë sipas rregullës 103, dhe sidomos ato që kanë të bëjnë me provat shfajësuese.
Pra këto janë 67 që kanë qenë në këtë paket, dhe këto janë pikat e nxjerrura që janë 119 dokumente. Sa i përket listës së dëshmitarëve, lista është po ajo që kemi paraqitur në listën me shkrim, që janë 10 dëshmitarë”, tha përfaqësuesi i ZPS-së.
Në këtë seancë ai tha Zyra e Prokurorit nuk ka ndërmend që t’ju jep materiale që nuk janë publike mbrojtjes së të akuzuarve.
Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe
për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.