Zyra e themeluar nga Kurti për Luginën është themeluar para dy vitesh nga Hoti, thotë Selmanaj

Prishtinë | 20 Sht 2022 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, po promovon si një vendim të ri themelimin e Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ani pse e njëjta ishte themeluar para dy vitesh, kur në krye të ekzekutivit ishte Avdullah Hoti.

“Me 28 shtator 2020 Qeveria e Kosovës më qëllim të institucionalizimit të mbështetjes shtetërore për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ka votuar në mbledhjen e saj për themelimin e kësaj Zyre”, ka shkruar Selmanaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Qeveria e udhëhequr asokohe nga Hoti, sipas Selmanajt, përveç se ka votuar për themelimin e kësaj zyreje, ka miratuar edhe planin e punës, me qëllim të zbatimit të këtij vendimi.

“Me qëllim të zbatimit të këtij vendimi me 13 janar 2021 qeveria Hoti ka miratuar edhe planin e punës për këtë Zyre, ku janë përcaktuar dhe detyrat konkrete për ministritë e caktuara”, ka shtuar ai.

Ndryshe një ditë më parë, Albin Kurti, kishte kumtuar lajmin se Ardita Sinani, tani e tutje është këshilltarja e tij për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Përpos kësaj, Sinan ishte emëruar edhe koordinatore e Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, të cilën Kurti e kishte prezantuar si një zyrë i cili është në themelim e sipër.

“Kjo zyrë do të jetë në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna, ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, si nevojë dhe domosdoshmëri e kohës”, thuhet mes tjerash në njoftim.


Të ngjashme