Këtë të premte, Ramush Haradinaj do të ulet sërish në karrigen e kryeministrit të vendit, 1 javë të plotë pas dorëheqjes së parevokueshme nga posti i njëjtë.
Siç ka raportuar KTV-ja një ditë më parë, Haradinaj ka thirrur mbledhje për të premten, me së paku 12 pika të rendit të ditës.
Në to përfshihet edhe emërimi i anëtarëve të Bordit të Autoritetit Civil, bartja e një prone nga KEK-u në Komunën e Obiliqit, si dhe vendimi për shpronësime të tokave për pikën kufitare të re mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë për KTV-në që mbledhja do të mbahet përkundër pikëpyetjeve ligjore që janë ngritur.
KTV-ja ka parë edhe opinionin trefaqësh të Zyrës Ligjore të Zyrës së kryeministrit, në përgatitje të kësaj mbledhjeje.
Aty, fillimisht konstatohet se kjo është hera e parë që ndodh një dorëheqje e tillë, që prej hyrjes në fuqi të Kushtetutës, në vitin 2008.
Zyra Ligjore i referohet Kornizës kushtetuese që precizonte që me gjithë dorëheqjen, kryeministri e luan rolin e kryeministrit të përkohshëm deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri.
Për ta sqaruar situatën merren krahasimet me kushtetutat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Kroacisë.
Zyra Ligjore është e mendimit se situata e përcaktuar me nenin 95, paragrafi 5 i Kushtetutës, kur kryeministrit jep dorëheqje dhe konsiderohet se qeveria bie, është situatë analoge me situatën kur qeveria konsiderohet në dorëheqje, në kuptim të nenit 100, paragrafi 6 të Kushtetutës së Kosovës. Një qasje e tillë interpretative është aplikuar edhe në Komentarin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me autorë profesorë Dr. Enver Hasani /Prof. Ivan Cukalovic, lidhur me nenin 95, paragrafi 5, ku thuhet se ‘Në kuptim të nenit 95.5 Qeveria bartet nga Kryeministri dhe shkarkimi, dorëheqja apo mbetja e ulëses së kryeministrit vakante, sjell ipso iure pasojën e konsiderimit të Qeverisë si të shkarkuar”. Shkarkimi nënkupton kalimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë në Kuvend, në kuptim të nenit 100 të Kushtetutës.
Pra, fjala “bie,” thënë në nenin 95, paragrafi 5. *(fjala “bie” ekziston vetëm në versionin e gjuhës shqipe në Kushtetutë, ndërsa, në versionin e gjuhës serbe, kjo fjalë mungon në këtë dispozitë), nuk nënkupton situatën e mosekzistimit të qeverisë, por të ekzistimit të një qeverie “në dorëheqje”, respektivisht në detyrë, e bashkë me të, edhe detyrimin institucional të Qeverisë në dorëheqje/detyrë për të përmbushur disa nga detyrat qeveritare që kanë për qëllim vetëm mbulimin e vakuumit institucional deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Zyra Ligjore e Kryeministrit konsideron se supozimi i mosekzistimit të qeverisë bie në kundërshtim logjik me nenin 4 të Kushtetutës, që flet për ekzistimin e institucioneve të rendit kushtetues.
Zyra Ligjore thotë se Qeveria duhet të bazohet në kompetencat e saj të dhëna me Kushtetutë e legjislacionin në qeveri dhe se Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretim të Kushtetutës.
Krejt në fund, Zyra ligjore e lut kryeministrin të ketë parasysh se opinionet juridike nuk kanë fuqi obligative juridike, pasi Kushtetutën e interpreton vetëm Gjykata Kushtetuese.