Jarrell Millerit nuk i është dhënë licenca që ta zhvillojë meçin me Anthony Joshuan në Nju Jork, më 1 qershor, pasi testet e tij mjekësore shfaqën se amerikani po përdorte substanca të palejuara, për ta përmirësuar performancën e tij.
Anthony Joshua, 29-vjeçar, pritej t’i mbronte titujt e tij IBF, WBA dhe WBO, në kategorinë e peshave të rënda, kundër të pamposhturit Jarrell Miller, i cili nuk kishte garuar asnjëherë për titullin e kampionit të botës.
Për ta marrë licencën për këtë meç, Miller u detyrua t’i bëjë disa teste mjekësore më 20 mars. Pasi në mostrat e tij u gjetën substanca ilegale që ndikojnë në performancën e boksierit nga Komisioni Atletik i Nju Jorkut.
Stafi i Millerit ka kërkuar që të bëhen edhe një herë këto teste mjekësore. Nëse edhe këto teste dështojnë, atëherë Milleri ka të drejtë të aplikojë edhe një herë për licencë.
Promotori i Joshuas ka bërë të ditur se britaniku do të debutojë në Nju Jork më 1 qershor pavarësisht vendimit që Komiteti Atletik merr për Millerit. Madje, ata kanë bërë të ditur se e kanë një listë të kundërshtarëve të mundshëm.
“Ne jemi duke punuar në një listë prapa skenave dhe jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë që ta gjejmë një zgjidhje të përshtatshme. Ne i kemi shitur 15 mijë bileta tashmë, shtatë deri në tetë mijë prej të cilave u blenë nga tifozë britanikë”, është shprehur Frank Smith, anëtar i stafit të Joshuas.
“Ne u kemi shituar bileta njerëzve nga 50 shtete të ndryshme dhe ata tashmë i kanë rezervuar hotelet, biletat e aeroplanit dhe gjithçka tjetër. Plani jonë është që të vazhdojmë me një meç tjetër në Madison Square Garden më 1 qershor. Detaje të tjera do të vijnë së shpejti”.