Partia Demokratike njoftoi zyrtarisht se mbi 53 mijë e 931 demokratë votuan Lulzim Bashën për t’i dhënë një tjetër mandat 4 –vjeçar në krye të partisë.
Sipas të dhënave, Basha u mbështet nga mbi 91.3 % e votuesve, ndërsa rivali i tij Eduart Selami mori 8.7 %, ose 5136 vota të anëtarëve të PD-së. Humbësi i këtyre zgjedhjeve ishte edhe i pari që doli me një deklaratë pas shpalljes së rezultatit, të cilin pasi e pranoi, duke theksuar se do të qëndrojë ne parti, si demokrat krenar.
Për kryetarin e ri-konfirmuar Lulzim Basha pjesëmarrja ne zgjedhje, të cilën ai e quajti rekord, tregon se demokratët nuk e kanë humbur besimin te partia e tyre. Për katër vitet e ardhshme ai premtoi një parti, më demokratike.
Me shpalljen fitues, Basha, i hapi derën çdokujt që ndan të njëjtën kauzë me të, zgjedhje të lira, të ndershme dhe luftë krimit e drogës.
Nga 103 mijë e 952 anëtarët me të drejtë vote të thirrur në zgjedhjet e 22 Korrikut, sipas organizatorëve të zgjedhjeve, në votim morën pjesë pak më shumë se gjysma e tyre.
Lulzim Basha u rizgjodh në krye të PD-së një muaj pasi ai humbi zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, që ishte edhe disfata më e thellë në historinë e Partise Demokratike, e cila pati mbi 200 mijë votues më pak se në vitin 2013, kur doli në opozitë pas 8 vitesh pushtet.