(E plotësuar) Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë konfirmuar se PDK-ja ka dorëzuar aplikimin për koalicion me 13 parti të tjera, në mesin e të cilave janë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Aplikimin në një listë të përbashkët e ka konfirmuar Miradije Mavriqi, drejtoreshë e Zyrës për Regjistrim në KQZ, në një prononcim për gazetarët, pas mesnatës.
Afati për deklarimin e koalicioneve në Komision Qendror të Zgjedhjeve përfundoi në mesnatë. Vetëm pak minuta para skadimit të këtij afati, janë parë zyrtarët e Aleancës teksa hyjnë në Zyrën për Regjistrim.
Valon Tolaj, sekretar ekzekutiv në AAK, nuk ka dashur të flasë për gazetarët. Ai ka paralajmëruar se AAK-ja do të mbajë një konferencë në orën 1 pas mesnate, në selinë e partisë.
Zhvillimi i papritur, futja në një listë e AAK-Nismës me PDK-në, duket se erdhi pasi LDK-ja më herët hyri në koalicion me AKR-në, duke ia rrezikuar primatin e partisë së parë PDK-së.
Më herët, gjatë ditës, kreu i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, nënshkroi marrëveshje me rreth 10 parti të tjera të vogla, si PD, PShDK, Lëvizjen për Bashkim, ADK-në, Ballin, Partinë Liberale etj.
PDK-AAK-Nisma dorëzojnë bashkërisht aplikimin në KQZ
Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën do të kandidojnë bashkërisht në zgjedhjet e 11 qershorit.
Ka raportime se marrëveshja mes këtyre subjekteve është arritur dhe para orës 12:00, pritet qe të aplikojnë zyrtarisht për koalicion parazgjedhor.
Sipas burimeve, Ramush Haradinajt i është premtuar posti i kryeministrit.