Drita dhe Prishtina do të hapin siparin e ndeshjeve të para të sezonit të ri të futbollit të Kosovës.
Gjilanasit do të mundohen të mbrojnë titullin e fituar në sezonin që lamë pas gjersa Prishtina e kërkon titullin e ri pas gjashtë viteve.
Por, paraprakisht këto dy skuadra do të takohen në kuadër të Superkupës së Kosovës në futboll.
Megjithëse ishte paralajmëruar që ndeshja të zhvillohet më 12 gusht (e diele), Federata e Futbollit të Kosovës e ka shtyrë ndeshjen për një datë tjetër.
Në fakt, ndeshja do të zhvillohet më 13 gusht (e hënë) në stadiumin e Qytetit të Prishtinës.
“Ndeshja e Superkupës ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e paraparë të luhet më 12 gusht, është zhvendosur për datën 13 gusht (e hënë) në orën 20:00 në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Ndryshe, Drita është kampione aktuale gjersa Prishtina ka fituar Kupën e Kosovës pasi ka mposhtur në finale Vëllaznimin e Gjakovës.