Zyrtarë të AKP-së ankohen për kushtet e punës, deputetët kërkojnë llogari për rritje të shpenzimeve

Prishtinë | 16 Dhj 2020 | 11:53 | Nga Aulona Sylaj

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka votuar Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për vitin 2019, raporton Ekonomia Online.

Hajzer Salihu anëtar i Bordit të AKP-së ka paraqitur para komisionit raportin e vitit 2019, ku sipas tij, kjo Agjenci nuk shpenzon buxhetin në luks.

“Buxheti fillestar ka qenë rreth 8 milionë euro kurse i shpenzuar ka qenë rreth 7 milionë ku kemi shpenzuar 93 për qind të buxhetit që na ka ndarë Kuvendi. AKP-ja nuk shpenzon me luks buxhetin”.

“Zyra e Auditorit ka dhënë  një opinion të pamodifikuar që tregon se pasqyrat financiare paraqesin një pamje të drejtë. Në vitin 2019 agjencia ka pasur 4 rekomandime ku të gjitha janë adresuar nga ne”.

Deputetja e VV-së, Yllka Hoti  ka pyetur për shpenzimet për internet ku shihet rritje krahasuar me vitin 2018.

Kurse nga AKP-ja kanë thënë se ka pasur ndryshim kontrate prandaj ka pasur shpenzime shtesë.

Deputeti i AAK-së Gazmend Abrashi ka thënë se raporti i AKP-së është pozitiv pasi rreth 10 për qind të buxhetit është kursyer.

“A kemi indikacione kur mund të fillojë procesi i privatizimit dhe me sa e di ju jeni në pritje të lëvizjes nga lokacioni ku jeni në këtë proces dhe a kemi ndonjë analizë për numrin e aseteve të pashitura”.

Drejtori i AKP-së, Valon Tolaj, tha se pret që vitin e ardhshëm të vazhdojnë me shitje të aseteve.

Ai madje u ankua se nuk kanë kushtet të punës dhe zyrat i kanë në baraka, raporton EO.

“Pothuajse gjatë gjithë vitit AKP-ja nuk ka zhvillu aktivitetin e saj për shkak të Qeverisë. Ne kemi jap kontributin tonë. Strategjia është në Qeveri. Shpresoj që në janar a shkurt të fillojmë me shitjet”.

“AKP s’ka zyre gjendemi në baraka. Paguajmë qera në 11 lokacione. Do të zhvendosemi në pallatin e Rilindjes brenda dy muajve”.

“Kurse tek numri i aseteve të pahitura vlerësohet se janë rreth, 2300 asete, 700 objekte e 30 mijë parcela”

Kryetari i komisionit Hekuran Murati ka thënë se keni pasur rritje të shpenzimeve për paga dhe mëditje rreth 605 mijë euro dhe ka kërkuar sqarim për këtë gjë.

Salihu nga AKP-ja ka thënë se diferenca e shpenzimeve për këto vite qëndron për arsye se është rritur numri i punëtorëve në administratë.

Të ngjashme