Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), të martën kanë dhuruar gjak për Qendrën Kombëtare të Transfuzionit, raporton Ekonomia Online.
Dhurimi i gjakut nga institucione të ndryshme tashmë është bërë e zakonshme, por edhe organizime të tjera, të cilat po e ndihmojnë Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, që të ketë në dispozicion më shumë doza të gjakut.
Drejtori i Administratës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dardan Krasniqi, tha se aksioni i tyre për dhurimin e gjakut tashmë është tradicional.
Ai tha se këtë herë nevoja për gjak është më e madhe për shkak të pandemisë.
“Ne si staf kemi shprehur gatishmërinë për te ardhur dhe dhuruar gjak, kjo tashmë na është bërë traditë dhe sidomos në këto dite ku po shohim që sa njerëz po kane nevojë për gjak dhe që në kohë pandemie që jemi, ku mund të japin gjak edhe ata që kanë kaluar covidin dhe plazma e gjakut të tyre mund të shfrytëzohet për ata që kanë nevojë”, tha Krasniqi.
Veton Hajdini, Kryesues i Njësisë për Medie tha që kjo është hera e shtatë për të që dhuron gjak dhe në kuadër të këtij aksioni Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka bërë si rutine tashmë dhurimin e gjakut.
“Ka një fluks të madh të stafit të Agjencisë që kanë ardhur për te dhuruat gjak dhe tashmë kjo është mese e nevojshme edhe për shkak të situatës që jemi dhe pandemisë, për mua personalisht është hera e shtatë që dhuroj gjak”, tha Hajdini.