Zyrtarët e Prokurimit Publik mund të korruptohet shumë lehtë, prandaj edhe duhet që të deklarojnë pasurinë si shumë zyrtarë të tjerë publik.
Ky është konstatim që ka nxjerrë Lëvizja “Fol” në raportin “Transparenca në prokurimin publik në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Jeton Zulfaj nga Lëvizja “Fol” tha se raporti ka pasur në fokus ministrinë e Infrastrukturës, Bujqësisë dhe atë të Zhvillimit Ekonomik.
Ai tha se zyrtarët e Prokurimit Publik janë të cenueshëm ndaj korrupsionit dhe duhet edhe ata t’i nënshtrohen deklarimit të pasurisë.
“Është mirë që sa më shumë produkte të shtohen në listën e prokurimit sepse zvogëlon mundësitë për korrupsion. Të gjithë zyrtarët e prokurimit publik janë të cenueshëm ndaj korrupsioni dhe do duhej të deklaronin pasurinë”.
Zulfaj tha se kontrata duhet të jenë publike dhe të qasshme për publikun, raporton EO.
“Ligji për qasjen në dokumente publike ende nuk është ndryshuar. Procedurat me pas qasje në dokumente vazhdojnë me marrë kohë me muaj”.
“Kontratat vazhdojnë me qenë të mbyllura. Jemi të interesuar me pa një modul që i bën kontratat publike, të jetë e qasshme”.
“Agjencia Tatimore ofron transparencë të kufizuar për shpenzimin e parasë publike, s’ka një pasqyrë online. Të publikohen kontratat online dhe dokumentet e menaxhimit të kontratës”.
Osman Bytyqi nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik tha se pajtohet me shumë nga të gjeturat e raportit të “Fol”-it dhe sipas tij si të tilla ato do të adresohen.
“Do të ndryshohet ligji dhe do të insistohet që kontratat shumë shpejt të bëhen publike”.
Agim Sheqiri, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, nuk u pajtua Zulfajn që baza ligjore në fushën e prokurimit publik nuk është e mirë.
Ai tha se prokurimi publik është sfidues për Kosovën. Sipas tij, duhet të ketë fokus në prokurimet e qëndrueshme. Ai deklaroi se shërbimet paguhen shtrenjte mirëpo punët në praktikë janë të cilësisë së lartë.
Sheqiri tutje tha se ministrat nxitohen për të inauguruar projekte të cilat sipas tij nuk përfundojnë për shkak të mungesave në sistem.
“Baza ligjore është shumë e mirë. Zgjatja e një procedure të prokurimit është e dëmshme edhe për paranë. Kriteret janë qartë të përcaktuara me ligj. Kriteret ekonomike, duhet me shkuar drejt asaj që me ngrit një konkurrencë të mirëfilltë. Është sfidë për Kosovën fusha e prokurimit publik. Analizat e juaja duhet me qenë shume të arsyeshme. Mediat duhet të raportojnë drejt, nuk është gjithë fajtor zyrtari i prokurimit”.
“E kemi një problem që paguajmë shtrenjtë, shërbime s’kemi të mira, duhet me u fokusuar të prokurimet e qëndrueshme. Shpesh punët nuk kryhen hiç, kur del në rrugë s’ka projekt të mirë, s’ka rrugë të mira. Dalin ministrat inaugurojnë projekte por ato nuk përfundojnë sepse ka mungesa në sistem. OJQ kur e bën një analizë të tillë duhet më dal me fakte konkrete”.
Ai tha se ka shumë kompani që një pronar qëndron pas dy apo tri kompanive tjera.
Sipas “Fol” Qeveria duhet të rishikojë dhe plotësojë-ndryshojë ligjer për qasje ne dokumente publike, prokurimin publik dhe shoqëritë tregtare, si dhe të hartojë ligje të reja mbi pronarët përfitues dhe “parajsat tatimore” dhe regjistrin e partnerëve në sektorin publik.
Lëvizja “Fol” rekomandon që Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) t’i publikojë automatikisht në ueb-faqen e saj të gjitha kontratat, t’i publikojë online të gjitha urdhërpagesat, faturat dhe pagesat qe rrjedhin nga kontratat publike të menaxhuara nga KRPP në format të lexueshëm në makinë.
Gjithashtu sipas kësaj lëvizje, KRPP duhet t’i publikojë të gjitha informatat rreth njoftimeve mbi kontrata, kritereve të përzgjedhjes (shpalljes për tenderë), të përjashtojë pronarët e panjohur nga pjesëmarrja në prokurimin publik.
Në raport rekomandohet që ky komision t’i përjashtojë nga pjesëmarrja në Prokurim Publik operatorët ekonomik ose bizneset me pronarë të fshehur apo pronarë përfitues që janë të panjohur.
“Fol” kërkon nga ministria e Financave t’i publikojë të dhënat vjetore financiare në internet të të gjitha kompanive që bëjnë biznes me shtetin në një platformë për regjistrimin e partnerëve në sektorin publik.
Administrata Tatimore sipas raportit duhet të publikojë më shumë të dhëna për t’u mundësuar qytetarëve të përcjellin ku po shpenzohen tatimet e tyre.