Zyrtarët irakianë thonë se IS-i po përdor armë kimike në Mosul

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 09:02 | Nga

Autoritetet irakiane kanë akuzuar grupin militant Shteti Islamik se po përdor “materiale kimike toksike” në betejën për Mosulin, por ata kanë thënë se përdorimi i këtyre armëve ka pak efekt në ofensivën irakiane për të rimarrë nën kontroll këtë qytet.

“Terroristët e IS-it kanë tentuar të bllokojnë përparimin e forcave tona, duke përdorur predha që janë të mbushura me materiale kimike toksike, por efekti i tyre ka qenë i limituar”, ka thënë Komanda e Operacioneve të Përbashkëta të Irakut më 16 prill.

Gjenerali Yahya Rasool i ka thënë agjencisë Associated Press se gjashtë ushtarë kanë pasur probleme me frymëmarrje.

Zyrtarët e policisë federale, që po marrin pjesë në ofensivën për rimarrjen e Mosulit Perëndimor, i kanë thënë agjencisë Reuters, se forcat qeveritare janë goditur nga IS-i me predha që kanë përmbajtje kimike në qarqet Urouba dhe Bab Jadid.

Zyrtarët kanë thënë se ende nuk e dinë se çfarë lloji i kimikateve gjendet në këto predha.

IS-i ka marrë nën kontroll Mosulin më 2014. Sidoqoftë, koalicioni i sulmeve ajrore i udhëhequr nga SHBA, dhe forcat irakiane në terren, kanë arritur të çlirojnë lindjen e Mosulit. Ndërkaq, forcat irakiane tash janë duke zhvilluar beteja për të rrimarrë pjesën perëndimore të qytetit, ku vlerësohet se janë 2 mijë militantë të IS-it.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme