Në fshatin Zhivkovc të Zveçanit një numër i konsiderueshëm i personave kanë sulmuar zyrtarët policorë, si dhe kanë dëmtuar automjetin e tyre.
E gjithë kjo erdhi pasi policia ka ndaluar një shtetas serb, të cilit më pas iu konfiskuan mallra të kontrabanduara.
I dyshuari nuk i kishte përfillur urdhrat e policisë, duke ikur nga vendi i ngjarjes.
Rasti ka ndodhur mesditën e së premtes.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia e doganës e cila e ka konfiskuar mallin dhe e ka dërguar në terminalin doganor”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.