Coronavirusi nuk do të jetë më duke qarkulluar në Britani nga muaji gusht, deklaroi të premten shefi i task-forcës qeveritare për vaksina, Clive Dix.
“Rreth gushtit, nuk do ta kemi më virusin që qarkullon në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Dix, duke shtuar se ai beson që programi për dhënien e dozave të dyta të vaksinave mund të shtyhet deri në fillim të vitit 2022.
Ky zyrtar deklaroi për gazetën “The Telegraph” se pret që të gjithë banorët e Britanisë së Madhe ta kenë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës deri në fund të korrikut. “Deri në atë kohë, ne ndoshta do ta kemi mbrojtur popullsinë nga të gjitha variantet e njohura”, tha Dix.
Britania e Madhe deri më tani ka shpërndarë mbi 51 milionë vaksina dhe është shteti i dytë më i shpejtë për dhënien e dozës së parë për së paku gjysmën e popullsisë së rritur, shkruan Reuters.
Zyrtarët britanikë kanë thënë se personave nën moshën 40-vjeçare duhet t’u ofrohet një alternativë tjetër e jo vaksina e kompanisë AstraZeneca për shkak të rrezikut nga mpiksja e gjakut.
Komisioni i Përbashkët për Vaksinim dhe Imunizim tha se kjo këshillë e pasqyron nivelin e ulët të infeksionit në Britani dhe mundësinë për përdorimin e vaksinave tjera, të prodhura nga kompanitë amerikane, Pfizer dhe Moderna.