Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, do të vizitojë sot Kosovën.
Ai do të pritet në takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një darke pune të organizuar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, znj. Prattipati.
Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Kryeministri Kurti do të takojë sot në mbrëmje zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, në një darkë pune të shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Prattipati.”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut pwr Ekonomia Online.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Hanrahan, ka vizituar Serbinë para mbërritjes së tij në Kosovë, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas presidentit serb, në takim u diskutuan çështjet globale, raportet dypalëshe Serbi-SHBA dhe situata në Ballkanin Perëndimor.
Vuçiq ka theksuar rëndësinë e dialogut me Kosovën dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Vizita e Hanrahan përfshiu edhe një ndalesë në Bosnje.