Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit G.K. i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), shkruan EkonomiaOnline.
Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, pranimit të fajsisë, të pandehurin e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim me gjobë në shumë prej katërqind (400) €.
I pandehuri akuzohet se më 1 mars deri më 19 qershor 2020, duke qenë në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ka qenë i detyruar që brenda afatit të bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurve, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare dhe ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Deklarim, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar, në atë mënyrë që nuk ka bërë deklarimin e rregullt vjetor brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.