Pavle Kaliniq, kreu i Zyrës për Menaxhimin e Emergjencave të Qytetit të Zagrebit, pretendon se ai siguroi gjysmë milioni doza të vaksinës Pfizer përmes lidhjeve, por që askush në Kroaci nuk është i interesuar t’i marrë ato.
Sipas mediave kroate, përcjell Telegrafi, Kaliniç ka thënë se vaksinat ia ofroi shtetit përmes Ministrisë së Shëndetësisë, por askush nuk është i interesuar për to.
“E gjithë Evropa nuk ka vaksina të mjaftueshme, të gjithë mendojnë për Pfizer… Kryebashkiaku i ndjerë më lutej të merrja një sasi të caktuar vaksine përmes lidhjeve të mia. Një sasi e caktuar është prokuruar. Sidoqoftë, askush në Kroaci nuk është i interesuar. Qyteti i Zagrebit nuk mund ta bëjë këtë, vetëm shteti”, citohet të ketë thënë ai.
Ndërsa është pyetur se cili ishte problemi, nga kush duhet ta blinte shteti atë vaksinë, ai është përgjigjur: “Shteti e blen vaksinën direkt nga fabrika, unë nuk do të isha ndërmjetës, unë ofrova gjithçka, por për shkak të turbullirave në Ministri kontaktova disa njerëz, por askush nuk tregon interes. Për ditën e tretë askush nuk përgjigjet dhe vaksina ka shumë të ngjarë të përfundojë diku tjetër”, ka thënë më tej Kaliniq.
Gjatë një interviste televizive, ai nga gazetarja është pyetur se nga e mori atë vaksinë.
“Nga ku? Nga Shtetet e Bashkuara, nga Pfizer. Nga duhet të jetë Pfizer? Nuk është prodhuar në kuzhinë këtu… Kroacia është e paaftë të prodhojë vaksina”, ka shtuar ai.