Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka dhënë sqarime për komunikatën e saj me plot gabime drejtshkrimore, të dates 3 mars, në lidhje me largimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), transmeton Ekonomia Online.
Përmes një komunikate për medie, zyrtari për komunikim publik në këtë ministri, Ismet Osdautaj, bën të ditur se ajo komunikatë është dërguar nga një e-mail privat.
Osdautaj ndihet përgjegjës për ato gabime të lëshuara por thotë se ka qenë duke punuar në një kompjuter personal me defekte teknike.
“Pa hyrë në detaje, kushtet apo shkaqet se si dolën gabimet në këtë komunikatë (për çka ju kam dërguar po atë natë një kërkim falje ), shpreh keqardhje dhe ndihem përgjegjës për gabimet e lëshuara (një pjesë e të cilave janë gabime teknike), për shkak se kam qenë duke punuar në kushte të jashtëzakonshme, në një kompjuter personal me defekte teknike. Ndërsa, jam i gatshëm të pranoj çfarëdo përgjegjësie, apo mase që mund të vjen nga MAShT”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Komunikata e plotë:
“MAShT: Asnjë student nuk do të ketë problem me njohjen e diplomave ndërkombëtarisht”, të datës 3 mars 2018
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Me anë të kësaj letre, dëshiroj të sqaroj edhe njëherë publikisht se komunikata e lartpërmendur, e cila doli me gabimet e përfolura në media (me të drejtë), për shkaqe teknike është dërguar me e-mail privat.
Komunikata është përgatitur me kërkesën e Kabinetit të Ministrit, me qëllimin e ofrimit të sigurisë për studentët, lidhur me shqetësimet që ata kanë për njohjen apo jo të diplomave pas largimit (pezullimit ) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga EQAR dhe si e tillë mendoj se ka përcjellë mesazh të qartë dhe kuptimplotë.
Pa hyrë në detaje, kushtet apo shkaqet se si dolën gabimet në këtë komunikatë (për çka ju kam dërguar po atë natë një kërkim falje ), shpreh keqardhje dhe ndihem përgjegjës për gabimet e lëshuara (një pjesë e të cilave janë gabime teknike), për shkak se kam qenë duke punuar në kushte të jashtëzakonshme, në një kompjuter personal me defekte teknike. Ndërsa, jam i gatshëm të pranoj çfarëdo përgjegjësie, apo mase që mund të vjen nga MAShT.