Shefi i Zyrës ushtarake të NATO-s për lidhje me Beogradin, Giampiero Romano, ka deklaruar për portalin serb “Demostat” se paqja dhe stabiliteti në Kosovë mbeten prioritet i NATO-s.
Duke vendosur situatën e sigurisë në kontekst të zhvillimeve në Ukrainë, Romano ka thënë se NATO-ja mbi 30 vjet ka tentuar të vendosë partneritet me Rusinë, por ajo po i shkel normat dhe parimet që kontribuojnë stabilitetin dhe sigurinë në Evropë, përcjell kdp.mk.
I pyetur se si e sheh dialogun Serbi – Kosovë pas tensioneve dhe sulmit terrorist në Banjskë, Romano tha se Aleanca vazhdon të mbështesë me vendosmëri dialogun nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian dhe përpjekjet e tjera me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si “mënyrë e vetme për arritjen e zgjidhjes së qëndrueshme politike dhe stabilitetit në rajon”.
“Gjatë vizitës së fundit në Serbi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të marrin pjesë aktive në dialog, t’i ulin tensionet dhe të përmbahen nga masat që mund të çojnë drejt përshkallëzimit. Ai gjithashtu përshëndeti propozimin më të ri të Bashkimit Evropian për krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, si një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve. Misioni i NATO-s, KFOR-i është plotësisht i fokusuar në ushtrimin e përditshëm të mandatit të tij bazuar në Rezolutën 12-44 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999, e ky është të ofrojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit të cilët jetojnë në Kosovë. KFOR-i po vëzhgon me vigjilencë situatën dhe ka qëndrim të shkathët dhe fleksibël dhe një prani të dukshme në terren. Në maj pati dhunë kundër forcave paqeruajtëse të KFOR-it, ku u lënduan 93 ushtarë të NATO-s, disa prej të cilëve pësuar lëndime të rënda. Në shtator pati ngjarje të reja të dhunshme. Kjo është e papranueshme. Faktet patjetër që duhet të vërtetohen, ndërsa autorët të vihen para drejtësisë. Në përgjigje të dhunës, NATO ka dislokuar në Kosovë rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe njësi autoblindash. Kjo është rritja më të madhe e kontingjentit tonë në Kosovë në dhjetë vitet e fundit, që tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, tha gjenerali Romano, duke shtuar se për këtë qëllim KFOR-i është në kontakt si me palën serbe, atë kosovare, EULEX-in, OSBE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare. “Një Kosovë e qëndrueshme është me rëndësi thelbësore për stabilitetin në rajon dhe për sigurinë tonë. Për më shumë se dy dekada, paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë prioritet për NATO-n. Mandati i Kombeve të Bashkuara për misionin tonë paqeruajtës, KFOR-in, që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të nga viti 1999, mbetet i pandryshuar. Ne vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për një mjedis të sigurt në Kosovë”.
Duke vlerësuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor në rrethanat e ndryshuara gjeopolitike, të shkaktuara nga pushtimi rus në Ukrainë, gjenerali Romano theksoi se kjo është një çështje serioze.
“Kur flasim për luftë, gjithmonë kemi parasysh se lufta përbëhet nga shumë etapa. Dhe për fat të keq, luftën e bëjnë njerëzit. Unë jam ushtar. Mendoj se ne si ushtarë e mbështesim më së shumti paqen. Sepse nëse vjen lufta, ne jemi të parët që hyjmë. Kjo nuk është e këndshme, jo vetëm sepse merrni pjesë në ndonjë konflikt, por edhe për shkak se janë të përzier njerëzit dhe infrastruktura, dhe këto janë gjëra të hidhura. NATO-ja për më shumë se 30 vjet është përpjekur të ndërtojë partneritet me Rusinë dhe të zhvillojë dialogun dhe bashkëpunimin praktik në fushat me interes të përgjithshëm. Përkundër kësaj, Rusia shkel në mënyrë të përsëritur normat dhe parimet që kontribuojnë në një rend të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë në Evropë, veçanërisht gjatë dekadës së fundit”.