Zyrtari i PDK-së, Faton Abdullahu, u ka bërë një analizë deklaratave të Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pas tensioneve në fund të korrikut në veri.
Një deklaratë e Krymeinistrit Kurti dhënë për një media italiane se “rrezikojmë luftë” ka bërë bujë të madhe brenda dhe jashtë Kosovës.
Abdullahu i PDK-së thotë se “ne jemi viktimë” dhe Kryeministri duhet të flasë si viktimë që mbrohet e jo “që sulmon”.
Ai shkruan se presidenti serb vazhdon të viktimizohet “thuajse Kosova do ta sulmojë nesër”. Sipas Abdullahut, Kurti po e bën të kundërtën.
“Edhe pse në raport me Kosovën Serbia ka ushtri, territor, popullsi, ekonomi e çdo gjë tjetër më të madhe e më të fortë, Vuçiq viktimizohet, thuajse se Kosova do ta sulmoj nesër. Duket se Kurti nuk e ka kuptuar këtë drejtë. Krejt të kundërtën e bën Kurti “azgan”. Ai vazhdon me përpjekjen që të lë përshtypje për opinionin brenda dhe jashtë, sidomos brenda se tash ky ka me ja “tregu qejfin” Serbisë”, shkruan Abdullahu.
Më poshtë gjeni postimin e plotë dhe pandërprerje të zyrtarit të PDK-së:
Presidenti serb “qyqan” kurse Kurti “drague”
Ne jemi viktimë dhe kështu të sillet Kurti si viktimë që mbrohet, jo si viktimë që sulmon!
Presidenti i Serbisë vazhdon me të vjetrën, të viktimizohet. E bën këtë edhe për konsum të brendshëm edhe para ndërkombëtarëve. Edhe ngjyrën e zërit, edhe mimikën e fytyrës, edhe gjestikulimet, edhe togfjalëshin që e përdorë, janë në shërbim të krejt kësaj kulture të tij politike në raport me Kosovën, sidomos kur ndodh diçka në veri.
Edhe pse në raport me Kosovën Serbia ka ushtri, territor, popullsi, ekonomi e çdo gjë tjetër më të madhe e më të fortë, Vuçiq viktimizohet, thuajse se Kosova do ta sulmoj nesër.
Duket se Kurti nuk e ka kuptuar këtë drejtë. Krejt të kundërtën e bën Kurti “azgan”. Ai vazhdon me përpjekjen që të lë përshtypje për opinionin brenda dhe jashtë, sidomos brenda se tash ky ka me ja “tregu qejfin” Serbisë. Tash ky “dragoi” ia tregon “qejfin” Vuçiqit se nuk mundet me vazhdu me të vjetrën.
Çfarë gabimi amatoresk. Pse nuk kuptohet drejtë e më pas të përçohet qartë e me korrektësi gjithandej se Kosova është viktimë, se paqja po rrezikohet nga Serbia, se Kosova po cenohet në ekonomi, në siguri, në politikë, etj.
Ne jemi viktimë dhe kështu të sillet Kurti, si viktimë që mbrohet, jo si viktimë që sulmon. Përndryshe përshtypja e përçuar do të jetë “Vuçiqi viktimë” e Kurti “trim drague”. Gabim!