Ali Lajçi po bën thirrje publike të arrihet marrëveshja VV-LDK. Po konsideron si papërgjegjësi vonesat në krijimin e institucioneve të reja. Ka kërkuar të ruhet besimi i 400 mijë qytetarëve që votuan për Partinë e Albin Kurtit dhe atë të Isa Mustafës.
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Ali Lajçi ka vendosur të kërkojë përgjegjësi nga dy partitë fituese pse s’po bëjnë koalicion për ndërtimin e Qeverisë së re. Po thotë se është papërgjegjësi nëse vonohet edhe më shumë arritja e një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Ish-Kryetari i Pejës po kërkon nga Albin Kurti e Isa Mustafa të mos e humbin besimin e 400 mijë votuesve të 6 tetorit që votuan pro VV’së e LDK’së.
“Po, është një lloj vakumi dhe papërgjegjësie. Duhet të nguten dhe të bëhet koalicioni. Duhet të ruhet besimi i fituar nga qytetarë”, ka thënë Lajçi, për Express.
Kanë kaluar 3 muaj e tre ditë prej kur janë mbajtur zgjedhjet ku është ditur fituesi. Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje para gjashtë muajsh. Më shumë se dy javë kanë kaluar prej se është konstituuar Parlaemnti. Albin Kurti ka nominuar ministrat e VV’së për Qeverinë e re por ka refuzuar të marrë mandatin nga Hashim Thaçi për të ndërtuar Qeverinë e re brenda 15 ditësh.
Megjithëse, vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore, Albin Kurti dhe zyrtarët e LDK’së kishin thënë se “koalicioni i shpresës” do të ndërtohej brenda pak orësh pasi të përfundonte procesi zgjedhor.
Në fakt, Ali Lajçi tregon saktësisht sa orë duhet të harxhohen për ta çuar Ramush Haradinajn e Kadri Veselin në opozitë.
“Marrëveshja do të mund të kryhej menjëherë. Tri orë janë punë aty. Duhet të reflektohet”, ka thënë Lajçi.
Në takimin e tretë këtë vit, VV e LDK dështuan të ndajnë pozitat në Qeveri, Parlament e Presidencë.
LDK po kërkon të kthehet te oferta fillestare, duke kërkuar pesë ministri, Kryeparlamentarin dh zotimin për President. VV ka shprehur gatishmëri t’i japë LDK’së një ministri më shumë por jo edhe pozitën e Shefit të Parlamentit.
Zyrtari i VV’së thotë se edhe pozitat kanë rëndësi për të jetësuar programin sidomos në fushatë që kanë të bëjnë me fushën e rendit dhe ligjit.
“Nuk është çështja e pozitave. Tash pozitat ligjet me projektin dhe programet për t’i zbatuar. Kurrsesi pozitat s’ndahen prej programeve. Për shembull MPB është edhe program për vendosjen e rendit dhe ligjet”, ka shtuar ai.
Ali Lajçi thotë se ish-partia e tij është e mësuar me lojna të tilla. Thotë se Partia e Isa Mustafës frikësohet të merret me tema dhe punë të mëdha.
“Me kësi lojnash gjithmonë është marrë. Kurrë temave të mëdha s’i ka ra. Është bërë si dekor i mirë edhe një faktor për me i ndihmu institucionet”, thotë Lajçi.
Albin Kurti doli fitues në zgjedhjet e fundit nacionale duke i fituar 29 deputetë. Një më shumë se Lidhja Demokratike Kosovës, e cila s’ka arritur të fitojë prej vitit 2004.
Kurti ka pasur raporte të këqija me LDK’në dhe ka pasur akuza të rënda për Isa Mustafën sa ishte Shef i Prishtinës, duke i dërguar edhe dhjetëra dosje penale në Prokurori.
Raportet ishin përkeqësuar ndërmjet LDK’së e VV’së kur në krye të Qeverisë erdhi Isa Mustafa, ndaj të cilit kishin organizuar protesta e sulme edhe para shtëpisë së tij në Prishtinë e Prapashticë. Liderin e LDK ‘së e kishin akuzuar për argat të Serbisë.
Në dy vitet e fundit, VV e LDK kishin ndërtuar bashkëpunim opozitar. Por, kishin dështuar të bënin koalicion parazgjedhor, pasi secila parti synonte të dilte e para.
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, VV e LDK kishin premtuar se do të ndërtonin koalicionin e shpresës për t’i zbatuar premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale për përmirësimin e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë e sundimin e ligjit.