Christopher Kelly i cili është zyrtar i Prokurorisë dhe merret me hetimin e forenzikës digjitale, ka pohuar se gjatë ekzaminimeve nuk ka identifikuar ndonjë komunikim në mes Fadil Fazliut dhe Rrustem Mustafës- Remit.
“Po, është e saktë”, u përgjigj dëshmitari në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq.
Derisa prokurori ishe duke bërë pyetje, dëshmitarit iu prezantua një hartë e vendndodhjes së të dhënave që thuhet se i përket ngjarjeve të 24 tetorit 2023.

Prokurorit tha se kjo është hartë e vendndodhjes së dy telefonave, atij të Bashkim Smakajt dhe atij të Bislim Zyrapit. Sipas imazhit, shihej një distancë shumë e vogël mes telefonave.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument për të cilin tha se është nxjerrë nga laptopi i Bashkim Smakajt.
(Përditësuar, ora 15:43)- Dëshmitari Christopher Kelly deklaroi të mërkurën në Hagë se kishte ekzaminuar telefonat e Rrustem Mustafës- Remit dhe Hajredin Kuçit, teksa rezultoi se ata kishin shkëmbyer mesazhe.
Fillimisht, prokurori Joshua Hafetz, gjatë pyetjeve të tij ia prezantoi hetuesit të forenzkës digjitale një dokument që është imazh forenzik i nxjerrë prej telefonit të Rrustem Mustafës.
Sipas dëshmitarit Kelly në kategorinë pjesëmarrëse të shënjuar në dokument janë dy personat mes të cilëve është zhvilluar bisedë. Pra, sipas tij, shihet një shkëmbim mesazhesh përmes telefonit të Rrustem Mustafës dhe përmes telefonit të Hajredin Kuçit.
“Është midis atyre. Pra, atyre individëve që janë persona të identifikuar në Whatsapp”, tha dëshmitari.
Pra, Kelly tha se në dokument shihet që mesazhi i parë është dërguar nga pajisja telefonike në emër të Hajredin Kuçit në drejtim të telefonit të Rrustem Mustafës.
Ndërsa, për pjesën e mesazhit, dëshmitari tha se përkthimi është bërë nga Prokuroria, pasi ai ka nxjerrë përmbajtjen nga telefonat.
Dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument tjetër për të cilin tha se vetë ai e kishte nxjerrë si informacion nga ekzaminimi telefonik dhe ishte një bisedë telefonike në mes Fahri Fazliut (djalit të Fadil Fazliut) dhe Rrustem Mustafës. Pra, ai tha se ky informacion ishte nxjerrë nga telefoni i Fazliut dhe i Remit.
Për disa imazhe, Kelly tha se janë biseda të bëra më 3 korrik 2023, të cilat janë nxjerrë nga telefoni i Rrustem Mustafës.
Disa nga mesazhet, dëshmitari tha se në telefonin e Fazliut nuk mund të gjendeshin përmes kërkimit. Bëhet fjalë për bisedat që pretendohet se janë realizuar në qershor dhe korrik të 2023-ës.
“Hapi vijues ishte që të analizohet baza e të dhënave ku mesazhet duhet të ruhen. Kur hyj aty shoh se mungojnë të dhënat në atë databazë. Pra, me fjalë të tjera, secili mesazh i Whatsaapit ruhet në një databazë të dhënave dhe secili prej këtyre dosjeve ka një numër identifikues për këtë. Për të shikuar datën dhe orën si dhe të dhënat identifikues mund të shihen boshllëqet në mes këtyre mesazheve”, tha ai.