Nënkryetari i Koresë së Veriut, Kim Young Chol është nisur të mërkurën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të negociuar mbajtjen e samitit në mes të liderit verikorean, Kim Jong Un dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Agjencia e lajmeve, Associated Press ka raportuar se Chol është parë në aeroportin e Pekinit, derisa më vonë është nisur për në Nju Jork.
Trump dhe Kim Jong Un ishte planifikuar të takoheshin më 12 qershor në Singapor, mirëpo Trump ka njoftuar javën e kaluar për tërheqjen e tij nga samiti.
Nga ajo kohë, Trump ka dhënë shenja disa herë se megjithatë takimi mund të zhvillohet andaj udhëtimi i zyrtarit verikorean në SHBA është cilësuar si përgatitje për fazat finale të samitit.
Ai pritet të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, duke shënuar kështu vizitën e parë të ndonjë diplomati të lartë të Koresë Veriore në SHBA, nga viti 2000.