Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Musli Shalën për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Musli Shala, zyrtar i Regijistrimit Civil të Obiliqit është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për keqpërdorim detyre.
Shalës i është shqiptuar dënimi në kohëzgjatje prej 8 muaj burgim me kusht, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë 1 viti e 5 muajve të ardhshëm.
Përveç kësaj, të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi me gjobë në vlerë prej 30 eurove.
Musli Shala është akuzuar nga prokuroria se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare, me ç’rast edhe është shpallur fajtor.
Në bazë të aktakuzës, Shala në cilësinë e personit zyrtar në regjistrimin civil në Obiliq, duke e shfrytëzuar postin e tij zyrtar, u akuzua se i ka kaluar kompetencat e tij
Më 26 shtator të vitit 2016, sipas aktakuzës, Shala ka regjistruar në sistem të gjendjes civile ekstraktin për personin Gazmend Palushi. Ky i fundit nuk ka arritur të identifikohet nga prokuroria.
Si rezultat, personi N.N ka tërhequr dy ekstrakte të lindjes dhe të njëjtit janë prezantuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër me emrin Gazmend Palushi.
Emri Gazmend Palushi ka rezultuar se është fiktiv pasi që nuk është i regjistruar në librin e regjistrimit civil në Komunën e Obiliqit.
I akuzuari kishte pranuar veprën penale në deklaratën e dhënë në polici e prokurori, si dhe ka mbetur në tërësi pranë kësaj deklarate edhe në shqyrtimin fillestar të këtij gjykimi.
“E pranoj në tërësi gabimin të cilin e kam bërë gjatë punës sime si person zyrtar në Qendrën e Regjistrimit civil në Komunën e Obiliqit dhe kjo që ka ndodhur nuk do të përsëritet”, ka thënë Shala në deklaratën e dhënë në prokurori.(Kallxo.com)