Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, zyrtari policor Zekirija Miftari, u deklarua i pafajshëm për akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
“Jam i pafajshëm pasi që të gjitha veprimet që i kam ndërmarrë në lidhje me këtë çështje që po akuzohem, i kam marrë në koordinim me prokurorin e shtetit, Paulin Pashku, i cili atëkohë ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj”, tha i akuzuari Miftari.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Miftari e bëri pas leximit të aktakuzës, nga prokurori Valdet Avdiu.
Pas deklarimit të tij, gjykatësja Fitore Daci, e ka njoftuar për të drejtën e tij që të paraqesë kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, në afat ligjor prej 30 ditëve, shkruan Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 dhjetor 2023, Zekirja Miftari akuzohet se më 8 janar 2021, në stacionin policor në Ferizaj, derisa kishte qenë duke e hetuar një rast lidhur me veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasuror për tjetrin, kishte tejkaluar kompetencat e tij, duke e detyruar të dëmtuarin L.D., t’ia japë G.H., shumën prej 4 mijë euro, ku 2 mijë e 500 ia jep në stacion policor, kurse pjesën tjetër pasi lirohet, për një veturë të cilën i dëmtuari e kishte blerë nga L.M.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 1 të Kodit Penal.