Dy nga zyrtarët policor që u arrestuan në fshatin Karaçevë të Kamenicës ditë më parë në aksionin e njësisë speciale të Policisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës ishin të njohur edhe më herët për vepra penale.
Sokol Keka dhe Imer Spahiu nga Kamenica që po mbahen në paraburgim si të dyshuar për kontrabandë dhe pjesë e grupit të kazinove të Karaçevës kishin pasur edhe më herët telashe me ligjin.
Madje, sipas dosjeve të Gjykatës së Gjilanit të cilën e ka siguruar gazeta Objektiv, Keka e Spahiu ishin të dënuar vite më parë nga dega e Gjykatës Themelore në Kamenicë.
“Zyrtarë policorë janë gjykuar nga Dega e Gjykatës Themelore në Kamenicë me datë 18.12.2015, ndërsa aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm me datë 04.02.2016. I akuzuari I. S. është akuzuar për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, vepër e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjën e gjykatës.
Sipas dosjeve të kësaj gjykate, zyrtari policor Imer Spahiu kishte shtënë me armë zyrtare nga pika e kontrollit ndaj një qytetari nga Bujanovci i cili ishte duke kaluar me veturë në zonën kufitare Kosovë-Serbi.
“I akuzuari I. S. me datë 03.05.2012 rreth orës 19:45 minuta në fshatin Novosellë të Komunës së Kamenicës, me anë të armës së zjarrit – pistoletës zyrtare ka shkaktuar rrezik të madh për jetën për qytetarin E. N. nga Komuna e Bujanovcit, në atë mënyrë që nga pika statike e kontrollit ku i njëjti ishte i caktuar të kontrolloj së bashke me kolegët S. K. dhe A. K., me revole zyrtare ka shtënë njëherë në drejtim të kombit të dëmtuarit E. N., në kohën derisa i njëjti ishte duke e ngarë atë në drejtim të fshatit Breznicë dhe në këtë mënyrë shkakton rrezik për jetën e të dëmtuarit të lartpërmendur”, thuhet në përgjigje me shkrim të gjykatës.
Ndërkaq, Keka dhe një zyrtarë tjetër policor me inicialet A.K kishin kryer veprën penale për moslajmërim i kryerësit të saj në bashkëveprim si bashkekzekutor, vepër e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për këtë Spahiu e Keka ishin dënuar me burgim, por më pas me pëlqimin e tyre ishte zëvendësuar me gjobë.
Në të njëjtin vend në cilësi të personave zyrtar – përgjegjës në pikën e kontrollit të brezit kufitar nuk kanë lajmëruar veprën penale dhe kryerësin e saj për kolegun e tyre I. S., i cili kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Gjykata i shqipton dënim secilit nga 60 ditë burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarve i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 1000 euro”, thuhet më tej në përgjigjen e gjykatës.
Ndryshe, këta dy zyrtarë policor së bashku me 10 koleg të tyre dyshohet se janë të përfshirë në kontrabandë dhe në organizim të lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme.