Gjykata e Apelit ka vërtetuar pafajësinë e policit Zyfer Krasniqi, duke lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 19 korrik të vitit të kaluar, e kishte liruar nga akuza për vrasjen e Bahri Sogojevës.
Ankesat e prokurorisë si dhe të palës së dëmtuar në këtë rast, vëllait të viktimës, Fahri Sogojeva, kundër aktgjykimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit i ka konsideruar si të pabazuara.
Sipas vlerësimit të Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është i qartë dhe konkret, se gjykata ka dhënë arsyet për faktet vendimtare, ka arsyetuar provat dhe në rastin konkret, drejtë ka vepruar kur ka konsideruar se vepra për të cilën i akuzuari akuzohet nuk përbën vepër penale.
“Gjykata e shkallës së parë drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike duke analizuar dhe arsyetuar të gjitha provat materiale dhe jo materiale, duke i ndërlidhur njëra me tjetrën dhe duke ardh deri tek një gjendje faktike si në dispozitivë të aktgjykimit të shkallës së parë”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Tutje, në aktgjykimin e saj, Gjykata e Apelit thekson se nuk është kontestuese se ditën kritike i akuzuari Zyfer Krasniqi dhe dëshmitarja Sadije derisa kanë qenë duke qëndruar te lokacioni “Te antenat” në Gërmi në drejtim të tyre ka ardhur Bahri Sogojeva, i cili ka mbajtur një arme në dorë, i ka kërcënuar me revole, të akuzuarin e ka goditur disa herë me grusht në fytyrë dhe të njëjtit ja ka marr telefonin mobil.
Se i ndjeri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka vazhduar të ik, ndërsa i akuzuari ka marr revolen e tij zyrtare të policisë të tipit “Gllock” të cilën e ka pasur nën ulësen e veturës së bashkudhëtarit, ka dalë nga vetura e tij dhe pas 20-30 metra ecje pasi ka vërejtur tani të ndjerin Sogojeva që ishte në ikje e sipër, e ka paralajmëruar që të ndalet dhe i njëjti nuk është ndal por është kthyer me fytyrë të të akuzuarit me revole në dorë dhe duke u gjetur në këto rrethana i akuzuari ka shtënë në tani të ndjerin ku si pasojë e këtyre plagëve i ndjeri Sogojeva ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Pretendimet e prokurorisë se i akuzuari ka pasur alternativa të tjera për të vepruar, Apeli i ka cilësuar si të pabazuara, pasi që duke pas parasysh rrethanat në të cilat është gjetur tani i akuzuari mundësia e vetme për ta ndal sulmin e kundërligjshëm dhe të atëçastshëm ka qenë mënyra se si ka vepruar i akuzuari dhe se mundësit alternative edhe kanë mundur të qëndrojnë sikur i akuzuari të mos ishte polic.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 20 korrik 2010, në lokacionin e quajtur “Te antenat”, në parkun e Gërmisë, i akuzuari Zyfer Krasniqi me dashje e privoi nga jeta tani të ndjerin Bahri Sogojeva.Vrasjes i kishte paraprirë, grabitja e të akuzuarit Krasniqi nga ana e të ndjerit Sogojva, ku ky i fundit fillimisht e kishte kërcënuar me revole e pastaj e kishte goditur disa herë me grusht në fytyrë dhe ku në fund ia kishte marrë një telefon mobil, të akuzuarit Krasniqi.
Pasi që kishte pushuar sulmi ndaj tij, Krasniqi me revolen e tij zyrtare kishte dal nga vetura dhe kishte filluar ta ndjekë Sogojevën.Sipas akuzës, Krasniqi përkundër faktit se e kishte ditur se Sogojeva është i armatosur, dhe faktit se ka pasur mundësi alternative për të ndaluar, i akuzuari sipas prokurorisë kishte qëlluar të ndjerin Sogojeva me revole posa që ky i fundit ishte kthyer me fytyrë nga Krasniqi.Me këtë rast, Krasniqi kishte kryer veprën penale të vrasjes nga neni 146 i KPK-së.